E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Në pranga, mjekët e korruptuar

Ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, ka kritikuar ashpër drejtuesit e spitaleve. 

Dje, gjatë analizës 6-mujore ai reagoi edhe për rastet e fundit korruptive të denoncuara në media që implikojnë bluzat e bardha. Ministri nënvizoi se, do të merren masa administrative dhe do të ndiqen penalisht të gjithë mjekët që do të përfshihen në afera korruptive. “Rastet e denoncimit për abuzime të mjekëve rriten çdo ditë e më shumë dhe ju rikujtoj se profesioni i mjekut është human, ndaj si ministër jam i vendosur të mbështes hetime dhe masa ligjore kundër çdo punonjësi dhe mjeku që abuzon me profesionin dhe ligjin”, u shpreh ministri. Ai bëri me dije se ministria ka iniciuar një fushatë kundër korrupsionit. “Shumë shpejt do të ketë një spot televiziv për denoncimin e korrupsionit, ndaj çdo nisme apo veprimi kundër këtyre akteve do të jetë i mirëpritur dhe vlerësues”, nënvizoi Ndoka. Ai u kërkoi drejtuesve më shumë vëmendje dhe me projektet për donacione të huaja apo me donacionet që ofrohen nga shtete e organizata ndërkombëtare. Ndërkohë, situata shqetësuese në spitalet e vendit e kryesisht në QSUT në lidhje me mungesën e medikamenteve dhe detergjenteve nuk është aspak e tillë për drejtorin e Shëndetit Publik në ministri, Gazmend Bejtja. Ai ia ka deleguar këtë përgjegjësi administratave të spitaleve, duke e shmangur atë nga institucioni qendror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›