Bllokohet një ton drogë, një në pranga tre të tjerë në kërkim
Gjirokastër- Gjatë një operacioni të veçantë antidrogë, strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër kanë bllokuar sasinë më të madhe të drogës për këtë vit. Bëhet fjalë për sekuestrimin e rreth 1 ton drogë, e cila kishte si destinacion zonën e Sarandës, për t’u trafikuar më pas në drejtim të Greqisë fqinje. Gjatë veprimeve të saj, policia ka ndaluar edhe një person, si dhe ka shpallur në kërkim tre të tjerë, të dyshuar si trafikantë të kësaj sasie droge. Sipas drejtorit të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Emri Vata, fillimisht specialistët dhe agjentët e Sektorit Kundër Narkotikëve kanë grumbulluar informacione në rrugë operative, se një grup i mirëorganizuar me veprimtari kriminale, në fushën e trafikut të lëndëve narkotike, me shtrirje në disa rrethe, kishin grumbulluar në fshatin Lazarat dhe do të transportonin në drejtim të Sarandës, e më pas në drejtim të Greqisë, një sasi të madhe lënde narkotike. Mbështetur në këto informacione dhe me qëllim goditjen e këtij rasti të trafikut të lëndëve narkotike, strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër kanë ideuar dhe zbatuar operacionin e koduar ”Kordinata”. Sipas kryepolicit Vata, ky operacion është zhvilluar në dy faza.
Operacioni 1
Në datën 6 shkurt të këtij viti është realizuar faza e parë e operacionit. Gjatë veprimeve të tyre, specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në bazën e informacioneve të siguruara, se nga fshati Lazarat është nisur një pjesë e ngarkesës, me një automjet tip Tuareg, kanë ngritur shërbime kontrolli në rrugën kombëtare Gjirokastër- Jorgucat. “Rreth orës 18:00 në dalje të fshatit Lazarat, ne konstatuam automjetin Fuoristradë, tip Volsvagen Tuareg, me targa TR 81 94 R, në pronësi të Ardjan Halilit, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë, duke lëvizur në drejtim të Sarandës”, përshkruan drejtori Vata, operacionin antidrogë. Në këtë situatë, agjentët antidrogë, të mbështetur edhe nga kolegët e tyre të Policisë Kufitare dhe Qarkullimit Rrugor, janë vendosur në ndjekje të mjetit. Ndërsa automjeti lëvizte me shpejtësi, ndjekja në distancë e policisë ka vijuar përgjatë gjithë rrugës kombëtare në zonën e Jorgucatit. Në momentin që ka konstatuar praninë e efektivave të policisë, drejtuesi i mjetit ka manovruar fuoristradën duke u kthyer mbrapsht, në drejtim të qytetit të Gjirokastrës. Për t’i “shpëtuar” postblloqeve të shumta të policisë, automjeti është futur në fshatin Goranxi, për të përfunduar në një rrugicë të tij. Sipas drejtorit të policisë në Gjirokastër, shoferi ka braktisur fuoristradën dhe duke përfituar nga errësira është larguar në thellësi të zonës malore të fshatit. Gjatë këqyrjes së automjetit, policia konstatoi se në të ndodheshin rreth 180 kilogramë lëndë narkotike mariuanë.
Operacioni II
Faza e dytë e operacionit antidrogë “Kordinata” është zhvilluar mbrëmjen e datës 7 shkurt, në rrugën kombëtare Gjirokastër-Sarandë. Sërish specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve, në vijim të informacioneve të siguruara, në lidhje me vazhdimin e trafikut të lëndëve narkotike nga ky grup, kanë marrë informacion se nga fshati Lazarat, rreth orës 20:30 është nisur pjesa tjetër e ngarkesës së drogës. “Informacionet bënin fjalë se ngarkesa e drogës po transportohej me një automjet Ford Transit, i cili po lëvizte në drejtim të Sarandës”, thotë drejtori i Policisë në Gjirokastër, Emri Vata. Menjëherë shërbimet e Sektorit Kundër Narkotikëve janë vendosur në ndjekje të makinës, ku pas disa minutash kanë bërë bllokimin e automjetit dhe ndalimin e shoferit. Gjatë veprimeve të para, policia konstatoi se me automjetin tip Furgon Tranzit, me targa TP 07 65 B, i cili udhëtonte në drejtim të Sarandës dhe drejtohej nga 36-vjeçari Artan Bresha nga Tepelena, transportoheshin rreth 820 kilogramë lëndë narkotike e llojit mariuanë. Furgonit, i cili shërbente për transportimin e mallrave, i ishin hequr sediljet dhe një sasi e drogës e mbështjellë me letër natriban, në pako me peshë të ndryshme, ishte vendosur në këtë pjesë të mjetit. Një sasi tjetër e marihuanës u gjet nga policia poshtë pjesës së sediljes së parë të pasagjerit.
Nga veprimet e para hetimore të Policisë së Gjirokastrës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit, është bërë dokumenti me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të këtij grupi. Është ndaluar 36-vjeçari A.Bresha për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, si dhe janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur nga policia për arsyes hetimi. “Gjatë hetimeve konstatuam se i ndaluari është një nga pjesëtarët e grupit, si dhe i afërm i drejtuesit të automjetit Fuoristradë, tip Volsvagen Touareg, që u bllokua në fazën e parë të operacionit”, thotë drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Emri Vata. Të dyja ngarkesat me drogë, që në total kapin shifrën e 1 ton lëndë narkotike, pasi të mbërrinin në Sarandë do të trafikoheshin në drejtim të Greqisë.