Sherri Tirana-Dinamo, mblidhet Komisioni Kombëtar kundër dhunës
TIRANE- Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës i kërkon federatës Shqiptare të Futbollit, dhe komisioneve të saj të analizojnë me përgjegjësi situatën e krijuar në stadiume dhe të veprojnë konform rregulloreve përkatëse. Në takimin e zhvilluar sot në ministrinë e Sporteve nën drejtimin e zv. ministrit Dashnor Bajaziti dhe në praninë e zv. ministrit të Brendshëm Avenir Peka, Drejtorit të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, përfaqësues të KOSH –it dhe FSHF-së u kerkua të mos ketë tolerancë për gjyqtarë, futbollistë dhe drejtues, shkaktarë të dhunës, në mënyrë që këto fenomene të mos përsëriten, për të parandaluar dhunën në aktivitetet kombëtare. Lidhur me forcat e rendit, Komisioni Kombëtar kundër dhunës kërkoi një bashkëpunim më efikas midis tyre dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe klubeve që organizojnë aktivitetin. Si dhe të diskutohet për një formë të re menaxhimi të forcave të sigurisë para dhe gjatë një ndeshje të aktiviteteve kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Në zbatim të Ligjit të Sportit , u pa e arsyeshme të përcaktohen në bashkëpunim me një urdhër të përbashkët të Ministrit të Brëndshëm dhe të Ministrit të Sporteve, rregullat për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në mjedise sportive, për një mënyrë të re bashkohore të vendosjes së forcave të rendit në stadium. Mbledhja u zhvillua pas ngjarjeve të dhunës, të shfaqura në stadiumet e vendit ,duke marrë si shkas dy takimet Flamurtari-Besa dhe Tirana –Dinamo.(m.a/News24/BalkanWeb)