E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferohet dosja, Alban Rexha i shpëton akuzës për tentativë vrasje



TIRANE - Katër të rinjtë e akuzuar për mosbindje ndaj shenjës “stop” të një patrulle policie, më 29 dhjetor 2009 në Tiranë, mes të cilëve edhe Alban Rexha, i njohur me nofkën “Ujku”, i “shpëtojnë” Krimeve të Rënda. Togat e zeza të kësaj gjykate pranuan dje kërkesën e Prokurorisë për Krimet e Rënda për transferimin e dosjes në ngarkim të Alban Rexhës, Pajtim Serjanit, Shamet Mejdanit dhe E. Gegës për kompetencë në Prokurorinë e kryeqytetit. Kërkesa në fjalë erdhi pas rikualifikimit të akuzës penale ndaj të pandehurve nga “vrasje në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë” në “kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”. Ndërkohë që, ndonëse vendimi i moskompetencës është marrë rreth tri javë më parë, të tre të pandehurit,qëndrojnë në masën e sigurisë “arrest me burg”, në zbatim të vendimit të marrë nga gjykata për Krimet e Rënda.
MOSKOMPETENCA
Përfaqësuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, në dosjen në ngarkim të të pandehurve, Rexha, Serjani, Mejdani dhe Gega, i bëri dje me dije Gjykatës vendimin e datës 4 maj 2010 të Prokurorisë për Krimet e Rënda, në lidhje me kompetencën e hetimit ndaj të sipërpërmendurve. Sipas këtij vendimi, Prokuroria për Krimet e Rënda shpallte moskompetencë të hetimit të kësaj dosjeje dhe kërkonte transferimin e saj në Prokurorinë e Tiranës. Kjo, pasi veprat penale për të cilat akuzohen të pandehurit nuk janë në kompetencën e Prokurorisë për Krimet e Rënda. Avokatët i kanë kërkuar gjykatës zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për klientët e tyre. Sipas mbrojtësve, prej më se 20 ditësh, të pandehurit mbahen në burg në zbatim të një vendimi të kërkuar nga një organ që ka shpallur moskompetencë. Burime pranë seancës sqaruan se gjykata pranoi transferimin e dosjes në Prokurorinë e Tiranës. Në lidhje me ndryshimin e masës së sigurisë, nga ana e togave është pohuar se kjo kërkesë nuk shqyrtohet më nga Krimet e Rënda. Aktualisht të pandehurit e kësaj dosjeje akuzohen për “armëmbajtje pa leje” dhe “kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”. Të akuzuarit Serjani, Mejdani dhe Gega u arrestuan mbrëmjen e 29 dhjetorit 2009. Ndërsa “Ujku i kafazit”, Alban Rexha, u arrestua më 26 shkurt 2010, në ambientet e Gjykatës për Krimet e Rënda, teksa ishte paraqitur për t’u vetëdorëzuar në Prokurori. Ata akuzohen se nuk i kanë ndaluar urdhrit “stop” të një patrulle policore në rrugën “Irfan Tomini”. Pas arrestit, në automjetin e tyre u gjetën dhe sekuestruan një automatik tip model.56, një armë pistoletë dhe disa gëzhoja arme. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›