E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët: Të gjithë nga sofra e Ramës



Kafe “Austria”, apo siç i thonë rëndom socialistët “tek Shefikati”, është kthyer në një forum joformal të Partisë Socialiste, ku diskutohet e merren vendime për zgjedhjet e pritshme. Në tavolina, ku klientela përbëhet kryesisht nga deputetët aktualë dhe pretendentët për t’u bërë deputetë, flitet vetëm për një temë, lista e kandidatëve në zgjedhjet e qershorit. Ata që e kanë futur në xhep tashmë sigurinë për të qenë në këtë listë hyjnë në lokal me një pamje të shtendosur dhe flasin më me siguri gjatë kafesë me miqtë. Madje, siguria që kanë i bën që të rrinë larg edhe bisedave për çështjen në fjalë, si për të thënë: “Unë e kam emrin, ç’më duhet për të tjerët?”. Por ata të pasigurtët, ata që nuk janë aktivë në publik, në debate televizive apo në konferenca për shtyp, që s’kanë takime me kryetarin, që nuk janë të kërkuara nga mediat, ata gëlojnë në biseda të pafundme për listat. E vetmja rrugë që u mbetet është të gjejnë një mënyrë për të takuar Ramën, për t’i parashtruar atij rëndësinë që kanë në parti, në qarkun nga vijnë. T’i mbushin mendjen që po punojnë me bazën socialiste, që kanë bërë këtë e këtë kundër kundërshtarit politik, sidomos kundër atij kundërshtarit më të rrezikshëm brenda llojit. Por lista është në zyrën e katit të dytë, që është kthyer në zyrë kryetari vetëm para 3 vjetësh nga fobia e Ramës për të mos punuar në zyrën e paraardhësit të tij, Fatos Nano. Ajo pritet të marrë formën përfundimtare vetëm nga mesi i muajit maj dhe të publikohet në kohën rekord para zgjedhjeve, siç e parashikon ligji zgjedhor. Burime të besueshme pranë kryesisë socialiste i kanë vënë gazetës “standard” në dispozicion një listë emrash, që do të jenë garuesit e së majtës më 28 qershor. Në këtë listë janë ata që e kanë të sigurt tashmë këtë garë, duke qenë në krye të listave, janë gjithashtu dhe disa emra që janë në diskutim e sipër. Po këto burime bëjnë të ditur se kreu socialist ka menduar të lërë jashtë listës, duke provokuar kështu një debat brenda partisë, por dhe një debat publik, kryetarin historik të kësaj partie, Fatos Nanon. Mosaktivizimi i tij në Kuvend dhe sigurisht marrëdhënia e armiqësisë me Ramën, bën që Nano të jetë deri në këto momente i diskutueshëm për të hyrë në këtë listë kandidatësh. Por jo vetëm kaq. PS ka harruar t’i bëjë ftesë në këtë përballje elektorale figurave të rëndësishme historike të saj, si Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani apo Dritëro Agolli. Megjithëse që të tre janë tërhequr prej kohësh në jetën akademike, ata nuk kanë qenë të pavëmendshëm ndaj zhvillimeve në partinë që i kanë shërbyer. Por gjithashtu, kjo parti ka harruar shumë nga ish-figurat e saj qendrore, ish-ministra dhe ish-deputetë, ish-funksionarë politikë të saj, si Spartak Poçi, Anastas Angjeli, Maqo Lakrori etj. Dëshirës së tyre për t’u rikthyer e për të kontribuar në përballjen elektorale, Edi Rama u është përgjigjur me ftohtësi dhe skepticizëm, duke mos u gjetur hapësirë në partinë që ata vetë kanë ndërtuar. Lista që botohet sot mund të shtohet e të zgjerohet, pasi nuk mund të ketë surpriza deri në qershor me “miqësitë” e reja politike të Ramës, aq më tepër që “standard” disponon pak më shumë se gjysmën e emrave që duhet të ketë lista zyrtare, e cila detyrimisht do të jetë me 140 kandidatë për deputetë.

Të rinjtë socialistë... pa teserë

Para vitit 2005, shumë nga ata që rendin sot shkallëve të selisë rozë nuk e kishin çuar ndonjëherë nëpër mend që do ta kishin këtë ndërtesë, që ka shërbyer dikur si Komiteti i Partisë së Punës, si shtëpinë e tyre politike. Shumica prej tyre, për të mos thënë të gjithë, teserën e partisë e kanë të re fringo, pasi e kanë marrë pasi mësuan derën e partisë dhe sepse u duhej për karrierën e mëtejshme politike. Por ajo që ata s’kishin menduar, ishte se vetëm pas 3 vjetësh e pak në këtë seli do të mund të ishin përfaqësuesit politikë të saj në Kuvendin e Shqipërisë. Por fati po punonte në anën e këtyre djemve dhe vajzave të reja, që të gjithë në një mënyrë a në një tjetër njihen personalisht me kryetarin e ri të Partisë Socialiste, Edi Rama. Shumica prej tyre vijnë nga familje me bindje të hershme të majta, me prindër ose gjyshër që kanë pasur funksione të larta në ish- nomenklaturën komuniste. Siguria për të qenë në krye të listës për deputetë në zgjedhjet e qershorit sa vjen e shtohet tek këta të rinj, të cilët po përfaqësojnë partinë më të madhe të opozitës në çdo debat publik, në çdo konferencë për shtyp dhe janë aktivizuar në çdo forum partiak me detyra kyçe.

Duket se dhe kriteret e sapomiratuara nga partia janë më shumë në shërbim të tyre, për ta bërë sa më të kalueshme vijën e kuqe të listës, ku siguria rritet për të qenë në Parlamentin e ardhshëm. Ndërkohë prurje të reja pritet të ketë në gjininë femërore. Duke pasur parasysh detyrimin ligjor për të qenë 30 për qind gra në lista, PS ka vendosur që në 3 emrat e parë në çdo qark të ketë një emër gruaje, gjë që sjell shumë favore për gratë e reja që kanë hyrë në PS-së me ardhjen e Ramës. Jo pak emra në listën e të rinjve janë femra, si Ajola Xoxa, Erla Spiropali, Flora Nikolli etj.

Të vjetrit... lufta për mbijetesë

Ben Blushi, deputet i vjetër i kësaj partie, tha para ca ditësh se grupi parlamentar socialist aktual është në pozita komode, pasi me numrin e pakët të deputetëve që i ka mbetur, futet automatikisht në listën e deputetëve të ardhshëm. Blushi ecte me logjikën elektorale për të fituar rreth 70 vende në Parlament, ku 30 vende do t’i përbëjnë sipas tij, emrat aktualë. Por duket se nuk mendon kështu Edi Rama apo njerëz të tjerë pranë tij, që kanë preferuar që, dhe nga këta pak deputetë që i kane mbetur partisë pas largimit të atyre që u cilësuan si mbështetës të Fatos Nanos, të mos jenë të gjithë në listë. Ndërkohë shumë nga ish-figurat e PS-së nuk kanë gjetur hapësirat për t’u aktivizuar në selinë rozë, ku podiumet e konferencave i kanë zënë të rinjtë, ndërsa në debatet televizive vendos Rama kë të çojë. Shumë pak prej tyre kanë qenë aktivë, si Kastriot Islami, Marko Bello dhe Erion Braçe. Disa janë larguar prej kohësh, si Petro Koçi, Luan Memushi, ndërsa të tjerët që kanë qëndruar, e kanë pranuar garën me të rinjtë. Madje, në një intervistë të mëparshme dhënë për “standard”, Kastriot Islami shprehej se “të gjithë, pavarësisht moshës fizike apo politike, duhet të përballen në konkurrim e përzgjedhje vetëm mbi bazën e aftësisë, vlerave e kontributeve”.

Kandidatët e PS-së

Të rinjtë

Ajola Xoxa

Erisa Spiropali

Saimir Tahiri

Ditmir Bushati

Fidel Ylli

Ylli Manjani

Damian Gjiknuri

Rezar Kola

Arben Ahmetaj

Besnik Dervishi

Artan Lame

Ilir Beqja

Andis Harasani

Ledi Shamku

Besnik Baraj

Ervin Bushati

Lindita Nikolli

Mimoza Hafizi

Luiza Xhuvani

Asllan Dogjani

Ardit Kaja

Ervin Bushati

Auron Tare

Zamir Dedej

Arben Kumbaro

Tom Doshi (i rikthyer në PS)

Emra në mëdyshje

Armand Sharra

Ervin Qafmolla

Bledi Cuci

Gjergj Teneqexhiu

Edlira Baraj

Ervin Begu

Auron Tare, ose i vëllai, Genti Tare

Zamir Dedej

Bujar Rreme

Silva Bino

Arben Kumbaro

Artur Lama

Deputetët aktualë

Albert Caçi

Alfred Dalipi

Andis Harasani

Arben Isaraj

Arben Malaj

Arta Dade

Ben Blushi

Blendi Klosi

Fatmir Xhafaj

Gramoz Ruçi

Kastriot Islami

Marko Bello

Namik Dokle

Ndriçim Hysa

Pandeli Majko

Qemal Minxhozi

Sadri Abazi

Shpetim Idrizi

Stefan Cipa

Taulant Balla

Valentina Leskaj

Vangjel Tavo

Erion Braçe

Ermelinda Meksi

Në pikëpyetje

Fatos Nano

Flamur Hoxha

Bashkim Fino

Ylli Bufi

Rajmonda Stefa

Rrapush Tola

Musa Ulqini

Besnik Dervishi

Elmaz Sherifi

Nuk do të jenë

Fatmir Xhindi

Flamur Hoxha

Luan Memushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›