E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkeljet, bllokohen dhjetëra pika gazi dhe bombula

Dhjetëra pika të tregtimit të gazit, si për automjete, ashtu edhe ato të tregtimit të bombulave të gazit, janë bllokuar nga Inspektorati Qendror i Tiranës. Rreth 80 pika të tregtimit të auto-gazit janë bllokuar nga ky inspektorat, pasi kushtet e tregtimit të gazit kishin shkelje të rënda dhe parregullsi. Po ashtu janë bllokuar dhe bombula gazi, rreth 300, në disa pika në Tiranë, pasi kontrolli ka zbuluar se ato përbënin rrezikshmëri për qytetarët, pasi s’kanë qenë të sigurta. Inspektorati Qendror i Tiranës, me një shkresë zyrtare ka informuar dje ministrin Dritan Prifti mbi kontrollin e ushtruar në subjektet e tregtimit të karburanteve. Raporti i IQT-së pranë ministrit është bërë për inspektimet e bëra gjatë vitit 2009. Sipas këtij raporti, që i është dorëzuar dje ministrit Prifti, IQT bën me dije se gjatë një kontrolli me qëllim respektimin e kushteve dhe normave teknike të sigurisë, zotërimin e dokumentacionit ligjor për ushtrimin e aktivitetit, plotësimin e standardeve të cilësisë, janë investiguar shkelje apo parregullsi të ndryshme.
Ky kontroll u ushtrua në 300 stacione të tregtimit të karburanteve për automjete, 14 shoqëri të tregtimit me shumicë të gazit të lëngëzuar të naftës, 12 shoqëri të tregtimit me shumicë të karburanteve dhe 26 njësi të tregtimit të bombulave. Janë kapur shkelje të tepërta në mosrespektimin e kushteve dhe normave teknike të sigurisë dhe të standardeve të cilësisë së karburanteve, duke shkaktuar bllokimin e pikave të shitjes në 80 auto-gaze, 26 stacione të tregtimit të karburanteve, si edhe 105 raste të trajtuara me masë ndëshkimore për gjobë. Gjithashtu janë konfiskuar 350 bombula, bllokuar 26 njësi të mbushjes së bombulave etj.
IQT, - informon z. Prifti, - se nga dt. 21.12.2009 ka filluar riinspektimi i pikave të bllokuara, duke paralajmëruar subjektet se në rast thyerje të bllokimit, do të propozohet heqja e lejes së veprimtarisë. Gjithashtu, nëse do të vërehen raste të veçanta ku do të konstatohen veprimtari të paligjshme dhe në rrezik për jetën e komunitetit do të bëhen kallëzime për ndjekje penale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›