Shtyhet seanca për Aldo Baren, u largua nga salla e gjyqit se nuk ndihej mirë

Tiranë, 27 janar, NOA Gjykata e Krimeve të
Rënda zhvilloi ditën e sotme seancën gjyqësore në ngarkim të ish-kreut të Bandës
së Lushnjës, Aldo Bares, e cila në fakt u mbyll shumë shpejt pas një kërkese të
bërë nga prokuroria.
Bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA se
i pandehuri Bare nuk e ka refuzuar këtë seancë dhe se ka qenë i pranishëm në
fillim të saj, por më pas është larguar pasi deklaroi se nuk ndihej mirë.
E ndërsa seanca vijoi për pak minuta të
zhvillohej pa praninë e tij, përfaqësuesit e prokurorisë kërkuan shtyrjen e saj
në një moment tjetër.
Nga ana e tij, avokati i Aldo Bares ka kërkuar
para trupit gjykues pushimin e çështjes ndaj klientit të tij, i cili akuzohet
për vrasje me paramendim, mbajtje të armëve luftarake, shkatërrim të pronës me
zjarr dhe krijim të një organizate kriminale.
Kjo e fundit njihet me emrin Banda e Lushnjës
dhe numëron një sërë krimesh të kryera para disa vitesh.
n.e/NOA