E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për një femër, plagoset rëndë 34-vjeçari

Një i ri ka mbetur i plagosur rëndë, pasi u sulmua nga dy të tjerë, në një konflikt që mendohet se ka ardhur për shkak të një vajze. Burimet e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit, thanë dje se arrestuan 19-vjeçarin Lumir Arifaj dhe Binak Arifajn, 24 vjeç, që të dy banues në Tiranë. Sipas grupit hetimor, ata konsiderohen përgjegjës për ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë, në orën 19.30, në afërsi të Fushës së Aviacionit, ku kanë goditur me sende të forta në pjesën e kokës dhe të trupit, 34-vjeçarin nga Tirana Ervis Shehun. I dëmtuari aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak të Tiranës në gjendje të rënduar shëndetësore. Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për 18-vjeçarin Ditmir Arifaj, banues në Tiranë, i dyshuar për konsumim të veprës penale të "moskallëzimit të krimit". Sakaq, materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për Lumir Arifajn dhe Binak Arifajn, për veprën penale të "plagosjes së rëndë" e kryer në bashkëpunim, që besohet se erdhi për motive të dobëta. Sipas policisë, i plagosuri dyshohet se ka ngacmuar një mikeshë të autorëve dhe për këtë shkak ata kanë goditur 34-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›