Pensionet false, pranga ish-drejtorit të minierës
Përgjatë periudhës kur ka qenë i punësuar me detyrën e drejtorit në minierën e qymyrgurit në Mushqetë, nuk ka lënë gjë pa bërë për të fituar ca para jashtë pagës së përmuajshme. Ndonëse kishte katër vjet që kujtonte se kjo histori ishte mbyllur, policia ka shkundur harresën e kohës dhe e ka shpënë përpara përgjegjësisë penale. Ylli Shaba, 48 vjeç, banues në Tiranë, që dje është në burg, pasi u kap nga seksioni kundër korrupsionit në sektorin kundër krimit financiar në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Arrestimi i të dyshuarit u bë nga policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë të Prokurorisë së Rrethit Tiranë. Ne zbatuam një vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë, për shpënien në paraburgim të 48-vjeçarit Shaba, pasi ka filluar procedimin penal të dyshuar për konsumim të veprës penale të "shpërdorimit të detyrës", "vjedhjes duke shpërdoruar detyrën", "mashtrimit" dhe të "falsifikimit të dokumenteve". Nga hetimi ka dalë se Shaba, përgjatë viteve 2003-2005, kur ishte në detyrën e likuidatorit në minierën e qymyrgurit Mushqeta, ka konsumuar shpërdorimin e detyrës nëpërmjet mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, me qëllim përfitimi financiar. Gjithashtu, po nga ky seksion, gjatë ditës së djeshme, në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të fillimit të procedimit penal për veprën penale të "pastrimit të produkteve të veprës penale" dhe "falsifikimit të dokumenteve", u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës mbi caktimin e masës së sigurimit personal "arrest me burg" për Hajdar Shabanin, 63 vjeç, banues në Fushë-Milot, me detyrë përfaqësues ligjor në firmën "Sukaj" sh.p.k. Arrestimi i tij u bë për arsye se dyshohet se ka falsifikuar një sërë dokumentesh që lidhen me pronësinë e disa objekteve, ku për rrjedhojë, ka kryer tjetërsimin e tyre në favorin e tij, në mënyrë të kundërligjshme, duke konsumuar elementet e veprave të lartpërmendura.