E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Ristrukturimi i degëve ndihmon në rezultatin e zgjedhjeve

Sokol Olldashi, i zgjedhur prej PD-së si kryetari i grupit të punës për Qarkun e Fierit, në një intervistë për gazetën "Shqip" pranon se zgjedhjet brenda strukturave të PD-së do të jenë favorizuese për votat e qershorit. Lidhur me Qarkun e Fierit, që vjen për nga numri i deputetëve i dyti pas Tiranës, Olldashi pohon se duhet që PD-ja në këtë ndarje administrative të marrë numrin maksimal të votave. Ai nuk selekton emra konkretë të listës së deputetëve, por thotë se Qarku i Fierit ka prodhuar personalitete për PD-në. Në intervistën e tij, Olldashi ka lënë të kuptojë se lista e deputetëve do të ketë më shumë përfaqësues të zonës dhe shumë më pak nga qendra e PDSH-së.

Zoti Olldashi, ristrukturimi i PD-së në shkallë vendi është në favor të procesit të zgjedhjeve parlamentare, apo e shihni si një mundësi që duhet lënë për pas zgjedhjeve?

Në logjikë të gjërave ristrukturimi i partisë motivon vitalizimin e strukturave, të cilat po përgatiten për zgjedhjet. Ne kemi një afat statutor, i cili na çon në vendimin se duhet të realizojmë riorganizimin e degëve në vend dhe padyshim edhe qendrën. Pothuajse në të gjithë vendin PD-ja po përballet me zgjedhjet. Është një proces normal, që po ecën mjaft mirë në të gjitha degët, nëndegët e seksionet. Në një pjesë të rretheve të vendit procesi ka përfunduar, në një pjesë është në vazhdim e sipër.

Lidhur me listën e deputetëve për zgjedhjet e pritshme të qershorit, a është trajtuar në Kryesinë e PD-së hapësira e kandidatëve që do të vijnë nga Fieri, si dhe ata që do të bujtin nga qendra?

Është ende herët për të folur për listën e deputetëve, sepse ky është një proces që ende nuk ka filluar në PD. Fieri, Lushnja, Mallakastra dhe Patosi mbartin figura dhe në radhë të parë do të përzgjidhet prej tyre. Ne në PD kemi shumë individë që përfaqësojnë këto treva të Qarkut të Fierit. Formimi i listës së deputetëve konsiderohet nga unë si një proces i thjeshtë. Qarku i Fierit ka prodhuar njerëz për PD-në dhe nuk është e vështirë për një deputet.

Kryetari aktual i PD-së së Fierit nuk ka ardhur në këtë post nga fushata ristrukturuese si po regjistrohet aktualisht. Do të ketë një skenar të ngjashëm?

Ka një keqinformim për kryetarin aktual të PD-së së rrethit Fier. Pavarësisht përzgjedhjes së tij nga Berisha, duhet kujtuar se ai është përballur me zgjedhje, të cilat mund të diskutohen prej anëtarësisë së Fierit. Ai ka qenë në garë me Besnik Ibrahimin, ky i fundit është tërhequr dhe zgjedhjet janë kryer me një kandidat, për të votuar pro, ose kundër tij. Në Fier, 2 vitet e fundit është kryer një punë mjaft pozitive. Në zgjedhjet e fundit lokale kemi pasur mjaft rezultate. Dëshmi është fakti që ne kryesojmë Qarkun e Fierit.

Ka kristalizim të emrave të preferuar nga kryesia e PDSH-së, apo dhe nga kryetari i saj, për kreun e Fierit?

Nuk mund të flas, edhe pse jam kryetar i grupit për qarkun. Është tjetër strukturë ajo që do të vendosë. Deklaroj se deri tani nuk ka ende një qartësi të emrave konkretë. E rëndësishme është që ka shumë kandidatë. Fieri ofron një grup kandidatësh. Të gjithë me cilësi shumë të mira. Kjo e bën më të vështirë zgjedhjen, por, nga ana tjetër, e bën më cilësore, sepse di kë zgjedh dhe kë nuk zgjedh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›