Sherri per objektin e ndertimit plagosen dy persona
Dy persona janë plagosur në qytetin e Lushnjes pas një sherri që ka nisur për shkak të një objekti në ndërtim. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Loni Dhamo” rreth orës 13:00 të ditës së hënë. Të plagosurit janë pronari i ndërtesës Çaush Çaushi 64 vjeç dhe një kalimtare e rastësishme Vilma Qorri 24 vjeçe. Policia e Lushnjës ka ndaluar autorin e plagosjes shtetasin Arben Zdrava 24 vjeç. Sipas policisë shkak i këtij konflikti është një pallat që po ndërtohet nga Caush Caushi ngjitur me një tjetër pallat pesë katësh. Prej kohësh banorët kanë kundërshtuar këtë ndërtim, i cili i izolon tërësisht apartamentet e tyre. Deri tani janë ngritur dy kate dhe autori i plagosjes ka kundërshtuar vazhdimin e këtij ndërtimi. Sherri ka nisur prej mëngjesit të së hënës, pasi disa djem të fisit Çaushi rrahën keqazi Arben Zdravën. Ky i fundit ka marrë çiften duke gjuajtur në drejtim të 64 vjeçarit. Gëzhojat e çiftes kanë plagosur edhe një kalimtare. Policia ka bërë të mundur kapjen e Arben Zdraves dhe e ka shoqëruar atë në ambientet e komisariatit për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Dhënia e lejeve pa kriter në qytetin e Lushnjes për ndërtime pallatesh ka sjelle një sërë konfliktesh si ky i sotmi i paralajmëruar nga vetë banorët. Disa ditë më parë ata kërkuan bllokimin e punimeve nga bashkia e Lushnjes dhe policia e rendit, por askush nuk mori masa për bllokimin e tyre.