E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri që mbyti gruan, ekspertizë për pushim zemre

25/03/2009  Prokuroria kërkon të përcaktojë shkakun e vdekjes

TIRANE- Pas pretendimeve në gjykatë të Qani Sherit, se nuk kishte mbytur gruan e tij 69-vjeçaren Zenepe Sheri, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pak ditë më parë nga specialistët e mjekësisë-ligjore kryerjen e dy ekspertizave mjekësore. Burime pranë organit të akuzës kryeqytetase thanë se njëra nga ekspertizat do të përcaktojë shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së 69-vjeçares Zenepe Sheri, e cila sipas pretendimeve të bashkëshortit të saj ka vdekur si pasojë e pushimit të zemrës dhe jo mbytjes me duar që pretendon Prokuroria. Ndërkohë që mësohet se ekspertiza tjetër që pritet të kryet nga specialistët e Institutit të Mjekësisë-Ligjore do të përcaktojë nëse i dyshuari i këtij krimi makabër është në gjendje të mirë psikike apo jo. Aktualisht grupi hetimor i çështjes ka kryer të gjitha veprimet hetimore, përveç përgjigjes së dy ekspertizave që pritet të mbërrijnë nga mjekësia-ligjore. Burimet thanë se nëpërmjet dëshmive kanë provuar se autori i krimit të ndodhur pak kohë më parë në lagjen afër varrezave të Sharës është shtetasi Qani Sheri. Ndërkohë që për të përcaktuar plotësisht fajësinë e tij, organi i akuzës pret edhe dy përgjigjet shkencore, të cilat do të dalin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›