E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi, Olldashi letër Ramës



Pas përplasjeve për projektin për rindërtimin e sheshit “Skënderbej”, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i kërkon kryebashkiakut Edi Rama të takohen e të bisedojnë për këtë çështje. Përmes një letre zyrtare, Olldashi i kërkon Edi Ramës të diskutojnë bashkë mbi sheshin, për rindërtimin e të cilit Qeveria ngre shqetësimin e mungesës së një zgjidhjeje për trafikun e automjeteve. Një ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha i kërkoi ministrit të Transporteve t’i ofrojë bashkëpunim kryebashkiakut, me qëllim zgjidhjen e problemit të trafikut në qendër të kryeqytetit. Shqetësimi i kësaj ministrie lidhet pikërisht me ngërçin në trafik, që po shkaktohet nga punimet në sheshin “Skënderbej”. Olldashi i kërkon Ramës të diskutojnë së bashku mbi sheshin për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët dhe të mirëpranuar nga të gjitha palët. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kreu i Qeverisë u shpreh se “ndërtimi i sheshit ‘Skënderbej’ nuk duhet të shndërrohet në kapital politik, por duhet të kryhet në një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet qendrore dhe vendore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›