Sindikatat, Kushtetuesja rrëzon Qeverinë
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin e Qeverisë, që shtetëzonte pronat e sindikatave. Me një votim 5 me 4 në favor të sindikatave, gjykata u njohu atyre të drejtën e zotërimit të pronave të tyre, pronësi e dhënë me ligj nga shteti shqiptar, duke shfuqizuar ligjin 10159 të Qeverisë, që u hiqte sindikatave pronësinë mbi objektet e trashëguara nga Bashkimet Profesionale. Pesë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë argumentuar se “Ligji 10159 cenon në mënyrë arbitrare të drejtën e lirisë sindikale, ndërsa duke privuar pronat e sindikatave, cenohet haptazi autonomia ekonomike e tyre”. Sipas Kushtetueses, ligji i Qeverisë lejon ndërhyrjen e autoriteteve në vetë ekzistencën e lirisë sindikale dhe duke i shpronësuar pronat e tyre, bëhet i pamundur funksionimi i vetë sindikatave. Ligji i kundërshtuar nga sindikatat ka të bëjë me pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme, si shtëpi pushimi, shtëpi kulture e parqe sportive, salla mbledhjesh e veprimtarish, të cilat pas vitit 1992 u lanë në pronësi të sindikatave, të cilat në bazë të ligjeve dhe akteve ligjore, do të pjesëtoheshin në raport me numrin e anëtarëve të tyre. Nëse do të kishte mosmarrëveshje, ato do të zgjidheshin nga gjykatat. Ligji në fjalë u miratua nga Kuvendi, në 15 tetor 2009, dhe detyron që mosmarrëveshjet e lindura ndërmjet sindikatave ose atyre dhe të tretëve, të kryhen në favor të shtetit.
Kërkesa
Pesë sindikata: Sindikata e Pavarur e Transportit, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Sindikata Rajonale, Elbasan, kërkuan shfuqizim si antikushtetues të ligjit nr. 10159, datë 15.10.2009 “Për shfuqizimin e ligjit nr. 8340/1, datë 06.05.1998. Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i Dekretit nr. 204, datë, 05.06.1002 ‘Për pasurinë e sindikatave”. Parlamenti miratoi një vit më parë ligjin që lejon shtetëzimin e pronave të sindikatave. Kjo ishte përcaktuar në nenin 5 të projektligjit “Për shfuqizimin e ligjit për rregullimin e pasojave, që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit nr. 204, për pasurinë e sindikatave”. Ligji parashikonte që pronat e reja të inventarizuara të shkojnë për fondin e kompensimit fizik të ish-pronarëve. “Fondi i pronave të paluajtshme shtetërore të inventarizuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, vihet në dispozicion për kompensimin fizik të ish-pronarëve sipas ligjit, nr.9235, datë 29.7.2004, për kthimin dhe kompensimin e pronës të ndryshuar si dhe vënien e tij në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, thuhet në nenin 5 të tij. Në kërkesën e tyre, sindikatat u shprehën se “Qeveria po cenon rëndë të drejtën e pronës dhe lirinë sindikaliste”. Sindikatat kanë akuzuar Qeverinë se me ligjin e ri që ka miratuar, po u heq atyre të drejtën e pronësisë mbi objektet e trashëguara nga Bashkimet Profesionale, por edhe të sanksionuara nga një ligj i mëparshëm. Në këtë mënyrë, sipas përfaqësuesve të sindikatave, po dëmtohet rëndë edhe lëvizja sindikaliste në Shqipëri. Sipas tyre, në objektet që sindikatat kanë në pronësi, përveç të ardhurave që sigurojnë nga dhënia me qira e tyre kontraktuesve të tretë, ata organizojnë edhe jetën e tyre sindikaliste, seminare, konferenca, kongrese, aftësime profesionale, por edhe pushimin e sindikalistëve në periudha të ndryshme të vitit. Në mbrojtje të pronave të tyre të paluajtshme, të gjitha sindikatat e Shqipërisë, të cilat për vite kanë qenë në procese gjyqësore mes tyre, për çështjen e pronave të paluajtshme, ishin bashkë në seancën gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese me një objekt ankimimi të përbashkët. Qeveria, e përfaqësuar nga drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari, tha se sindikalistët kanë abuzuar me pronat në kurriz të interesit publik.
Ligjet e rrëzuara nga Kushtetuesja
1-Ligji për makinat e gjyqtarëve 6.2.2010
2-Ligji i Lustracionit.
3-Marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë.
4-Ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, neni për pagat e gjyqtarëve.
5-Vendimi i Këshillit të Ministrave për tregtimin e naftës në tregun e brendshëm nga ARMO.
6-Ligji për “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, neni që përcakton emërimin dhe shkarkimin e personelit të administratës gjyqësore.
7-Ligji për “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
8-Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”.
9-Ligji “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
10-Objekti i Komisionit Hetimor të shumicës për Prokurorinë e Përgjithshme.
11-Nene të ligjit “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”.
12-Nene të ligjit “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”.
13-Ligji “Për pagat e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese”.
14-Nene të ligjit për “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”.
15-Ligji për pensionet suplementare të ish-ushtarakëve
16-Ligji i Urbanistikës.
17-Ligji për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
18-Nene të Kodit zgjedhor, kërkuar nga Partia e Bashkimit të Pensionistëve të Shqipërisë.
19-Ligji për shtetëzimin e pronave të sindikatave të pavarura.
Pezullimi i ligjit
Gjykata Kushtetuese në seancën e shqyrtimit të kërkesës së pesë sindikatave, nuk u dha të drejtë atyre sa i takon pezullimit të zbatimit të ligjit deri në marrjen e vendimit përfundimtar të saj. Sipas anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, veprimi i këtij ligji është i padëmshëm në pasoja deri në dhënien e vendimit përfundimtar të saj, për sa kohë nuk kanë dalë edhe udhëzimet sqaruese të këtij ligji. Zbatimi i tij do të shoqërohej me udhëzime sqaruese, për ta bërë atë më konkret, madje edhe në varësi të çdo rasti të dhënies së pronave të sindikatave një të treti.
Antikushtetutshmëria e ligjit të Qeverisë
Ligji 10159 cenon në mënyrë arbitrare të drejtën e lirisë sindikale.
Duke privuar pronat e sindikatave, cenohet haptazi autonomia ekonomike e tyre.
Ligji lejon ndërhyrjen e autoriteteve në vetë ekzistencën e lirisë sindikale dhe duke i shpronësuar pronat e tyre, bëhet i pamundur funksionimi i vetë sindikatave.
Përkundrazi, shteti duhet të ketë detyrimin pozitiv, të garantojë edhe ekonomikisht veprimtarinë sindikale.
Shpronësimi pa dobi publike, që pamundëson funksionimin e sindikatave, përbën thelbin e pakushtetutshmërisë së ligjit.
Ligji duhet të balanconte interesat e sindikatave me ato të ish-pronarëve.
Ligji 10159 ka probleme me cilësinë e tij. Nuk përcaktohet qartë nëse “shfuqizohet” administrimi i pronës së sindikatave, apo “shfuqizohet” e drejta e pronësisë së tyre.