E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi Skënderbej, Aliaj: Ngrirje të punimeve dhe rishikim të projektit nga belgët

Vullneti i mirë politik dhe krijimi i hapësirave për mendimin e ekspertëve do të zgjidhin përfundimisht ngërcin e krijuar në sheshin “Skënderbej”. Eksperti i urbanistikës Besnik Aliaj thotë se pikërisht tani është momenti për të ndërhyrë.

“Unë uroj që palët të ulen në tryezë duke u shmangur nga qëndrimet e ngurta politike, duke i lënë më shumë hapësirë teknicienëve dhe profesionistëve të cilët mendoj që do të jenë më të prirur për të gjetur edhe një zgjidhje e cila do të jetë edhe më e qëndrueshme. Asnjëe zgjidhje teknike nuk mundet të kthehet në një ndërhyrje të ligjshme nëse nuk do të gëzojë edhe mbështetjen politike, por mendoj pikërisht, lënia hapësirë nga të dyja palët e më shumë frymëmarrje për ekspertizën e mirëfilltë teknike do të ishte një dëshmi dhe një vullnet pozitiv në dimensionin politik për të lënë më shumë hapësirë drejt zgjidhjes” tha Aliaj.

Për ta ndihmuar procesin, zoti Aliaj propozon një plan prej 10 pikash zbatimi i të cilave e zgjidh situatën. Katër pikat e para që nisin me ngrirjen e punimeve në shesh, ngritjen e një grupi ekspertësh, caktimin e parimeve për të konceptuar projektin dhe miratimin e këtyre parimeve janë të karakterit procedurial. Ndërkohë si një mundësi konsesusi bashki-qeveri vjen propozimi për të mbajtur studion belge si vazhduese e projektit.

“Do të ishte një shenjë e mirë vullneti, krahas ngrirjes së punimeve në sheshin “Skënderbej” që të pranohet që studio belge ‘51N4E’, të rikonfirmohet si studio që do të jetë përsëri ajo që do të rishikojë projektin për të adoptuar në bazë të debateve që kanë lindur dhe kërkesave të cilat ka opinioni publik ” tha Aliaj.

Në vijim 5 propozimet e tjera kanë të bëjnë me ndërhyrjet urgjente në shesh, realizimin e unazës së vogël, rishikimin e projektit dhe miratimin e tij për ti lënë rrugë ribërjes së sheshit. Për ekspertët kjo punë mund të kërkojë kohë por është zgjidhja e vetme që i kënaq të gjithë palët.

Propozimet:
1. Ngrirja e punimeve në sheshin “Skënderbej”
2. Ngritja e grupit të ekpertëve nga Bashkia dhe Qeveria
3. Përcaktimi i parimeve nga ekspertët
4. Miratimi i parimeve nga Këshilli Bashkiak
5. Vazhdimi i projektit nga studioja belge
6. Masat e ndërhyrjes urgjente
7. Realizimi i unazës së vogël
8. Debati dhe ekspozimi i projektit të rishikuar
9. Miratimi i projektit në KRT dhe KRTRSH
10. Zbatimi i projektit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›