Sheshi “Skënderbej”, Berisha kundërshton projektin, Ruçi: “Kjo është shashka e 1 prillit”
Eljona Ballhysa
Rikonstruktimi i sheshit “Skënderbej” ka dominuar debatin në seancën e djeshme parlamentare. Ka qenë kryeministri Berisha ai që ka kapërcyer mbi temën e Grupit Parlamentar të PS-së, për kutitë e votimit dhe transparencën e zgjedhjeve, dhe ka folur për projektin e ri për sheshin “Skënderbej”. Në një fjalim të gjatë e të detajuar me fakte nga historia, Berisha shpeshherë ka përsëritur thirrjen drejtuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për të bashkëpunuar me qeverinë për rindërtimin e sheshit “Skënderbej”. Berisha tha se qeveria është e gatshme të ndihmojë financiarisht Bashkinë e Tiranës për rindërtimin e sheshit. Por, sipas kryeministrit, më parë duhet të kryhet një studim i hollësishëm për nevojat e kryeqytetit. Sipas Berishës, duhet parë zgjidhja e trafikut dhe nëse gjendet zgjidhje afatgjate për trafikun, atëherë ai është dakord për të pranuar projektin për shesh këmbësorësh, por me kusht që të rikthehet tregu. Berisha e cilësoi projektin aktual të papranueshëm, pasi nuk e zgjidh çështjen e trafikut, që është një ndër problemet më madhore të kryeqytetit. Ndërsa projektin aktual Berisha e cilësoi të lidhur me interesa të njerëzve të afërt të kryetarit të PS-së.
Ndërsa deputetët socialistë e konsideruan fjalimin e Berishës të denjë për festën e 1 prillit.
Kundërshtimi
“Do të paraqis shqetësimin e madh lidhur me zhvillimet e fundit rreth kryesheshit të Shqipërisë, “Skënderbej”. Në interesin më të mirë të vendit i bëra një thirrje Ramës që të bashkëpunojë me qeverinë për t’i dhënë fund sa më shpejt një gjendjeje që turpëron çdo institucion të këtij vendi. Por, në vend të bashkëpunimit, morëm një reagim brutal të papritur, pasi Rama nisi punimet. Unë sërish jam këtu për ta ftuar. Çështja e sheshit nuk mund të jetë çështje kundërshtish midis kryeministrit të vendit dhe kryetarit të Bashkisë. Kjo çështje nuk zgjidhet kurrë në vorbullën e këtyre kundërshtirave”, - u shpreh Berisha, ndërsa iu referua ndryshimeve në kohë që ka pësuar sheshi “Skënderbej”. “Pas lufte sheshi kishte dy funksione; ishte për treg dhe për trafik. Pastaj, në një paranojë të padrejtë, në komunizëm sheshit iu rrafshua tregu. Prenë një shirit me Nikita Hrushovin, ndërtuan një pallat që shëmton edhe sot arkitekturën. Më pas rrafshuan katedralen ortodokse dhe ngritën një pallat tjetër të shëmtuar, stili i hotel ‘Tiranës’. Çfarë ndodhi tjetër? Goditja finale që iu dha sheshit ishte prishja e Bashkisë dhe ndërtimi i Muzeut. Atje ka qenë kafeneja më e mirë e Shqipërisë, Kursali, një kafene që të gjithë e kujtojnë me nostalgji. Sot në të gjithë sheshin dhe bulevardin ke vetëm dy kafene, njëra është e hotel ‘Tiranës’ dhe tjetra është te dy kullat, por aty duhet me pas triskë, se nuk futesh dot. Aty bëjnë mbledhje këta të PS-së”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka ironizuar opozitën. Sipas Berishës, sheshi “Skënderbej” nuk ofron asgjë për qytetarët e Tiranës. “Qytetarët nuk gjejnë asgjë në shesh, asnjë kafene, asnjë rrobë, asnjë dhuratë, asnjë klub nate, asnjë klub dite, nuk gjejnë asgjë”, - është shprehur Berisha. Ai tha se sheshi mund të jetë shesh këmbësorësh, por nëse zgjidhet problemi i trafikut, pasi sipas tij segmenti i parashikuar nga Bashkia e Tiranës nuk i jep zgjidhje trafikut të makinave. “Në rregull, mund ta bëjmë dhe shesh këmbësor. Por, nëse vendoset të bëhet këmbësor, ka një kusht themelor, duhet të garantosh trafikun e kryeqytetit. Si mundet që një segment të zgjidhë trafikun e gjithë qytetit që mban sheshi? Kjo është jashtë çdo logjike. Kjo është arsyeja që unë nuk mund të bëhem as autor dhe as bashkautor. Kjo i jep përgjigjen fatale trafikut të të gjithë qytetit. Qeveria do të ndihmojë në shpronësimin dhe në ndërtimin e Unazës së Vogël. Por unë them të bëjmë studimin dhe pastaj të vendosim; do të bëjmë shesh këmbësorësh, apo shesh për trafikun. Unë jam dakord që të bëhet në të dyja variantet. Por duhet të zgjidhet trafiku”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka akuzuar Bashkinë e Tiranës se ka ndryshuar projektin francez për interesa të ngushta.
Pas Berishës ka reaguar kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili u shpreh se Berisha po kërkon të devijojë vëmendjen nga kërkesa për transparencën e zgjedhjeve. “Kryeministri foli në Parlament për një çështje që s’ka lidhje me Parlamentin. Sot është 1 prilli, ndaj mos e merrni seriozisht Berishën. E vërteta është se Berisha hodhi shashkën e radhës për të spostuar vëmendjen nga kriza politike, ekonomike, sociale e institucionale që ka pllakosur vendin”, - është shprehur Ruçi. Edhe deputeti tjetër i PS-së, Eduard Shalsi, e cilësoi fjalimin e Berishës të denjë për ditën e 1 prillit.
2 Prill 2010