E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i ILDKP-së akuzon Prokurorinë: “Ka pezulluar paditë për zyrtarët e lartë”



Eljona Ballhysa
Kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë, Adriatik Llalla, akuzoi dje gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Prokurorinë e Përgjithshme, e cila, sipas tij, punon me standarde të dyfishta. Llalla u shpreh se Prokuroria e Përgjithshme ka pezulluar paditë e ILDKP-së për zyrtarë të lartë, ndërkohë që ka ndjekur vetëm çështjet që kanë të bëjnë me zyrtarë të nivelit të dytë. Llalla gjithashtu akuzoi zyrtarë të Bashkinë e Tiranës që, sipas tij, kanë konflikt interesi në dhënien e lejeve të ndërtimit. Ndërkohë që deputetët e PD-së, të pranishëm në Komisionin e Ligjeve, vlerësuan rolin e rëndësishëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në evidentimin dhe parandalimin e praktikave të pasurimit korruptiv, ndërsa kërkuan forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve në parandalimin e këtyre fenomeneve.
Akuzat
I pranishëm dje në Komisionin e Ligjeve, ku bëri publik raportin vjetor të ILDKP-së për vitin 2009, kreu i këtij institucioni akuzoi Prokurorinë e Përgjithshme për shkak se, sipas tij, nuk ka reaguar ndaj kërkesave për ndjekje penale ndaj zyrtarëve me konflikt interesi dhe që kanë fshehur pasurinë. “Prokuroria po punon me standarde të dyfishta, duke pushuar çështjen për zyrtarët e lartë dhe duke marrë masa ndaj zyrtarëve lokalë”, - është shprehur Llalla. Sipas tij, Prokuroria ka mbyllur dosjen hetimore ndaj tre zyrtarëve, të cilët fshehën pasurinë në shuma që kapin shifra 300-800 mijë euro. Ai tha se bëhet fjalë për një zyrtar të Kuvendit, një prokuror dhe një ambasador, ndaj të cilëve Prokuroria i ka mbyllur çështjet, por, megjithëse deputetët e PD-së kërkuan emra, ai nuk i bëri të ditur ato. Sipas një njoftimi për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme, janë pushuar çështjet për shtetasin Florian Nova, me detyrë ambasador; shtetasin Arjan Ndoja, me detyrë prokuror; shtetasin Shpëtim Guxholli, me detyrë inspektor tatimesh në Korçë; si dhe për Detar Hysin, me detyrë anëtar i KKRTSH-së, për të cilët nuk ka pasur prova të mjaftueshme.
Sipas Llallës, gjatë vitit 2009 janë çuar për ndjekje penale 16 zyrtarë që fshehën pasurinë dhe janë gjobitur 37 të tjerë, të cilët janë në konflikt interesi. Po kështu, kreu i ILDKP-së ka akuzuar edhe disa punonjës të Bashkisë së Tiranës, të cilët, sipas Llallës, janë në konflikt interesi në dhënien e lejeve të ndërtimit. Më tej, në fjalën e tij, Llalla njohu anëtarët e Komisionit të Ligjeve me angazhimin e ILDKP-së në forcimin e kapaciteteve investiguese, në shtimin e mekanizmave kontrollues për pasuri të krijuara në mënyrë të dyshimtë, si dhe në ofrimin e asistencës për zyrtarët në respekt dhe përputhje me ligjet që ky institucion administron. Në këtë drejtim, zoti Llalla kërkoi dhe vuri në dukje domosdoshmërinë për një bashkëpunim më të ngushtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme përsa u përket rasteve të kallëzimeve penale që ILDKP-ja depoziton pranë organit të akuzës. Pasi u njohën me raportin, anëtarët e Komisionit të Ligjeve i drejtuan kryetarit të ILDKP-së disa pyetje, në të cilat u kërkuan rezultatet konkrete mbi hetimet që ky institucion ka bërë për persona të përfshirë në konflikt interesi, cili ka qenë bashkëpunimi që Prokuroria ka dhënë mbi këtë çështje, si dhe masat që janë marrë për çdo rast dyshues në lidhje me mosdeklarimin e pasurive me fenomenin e korrupsionit etj. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve vlerësuan rolin e rëndësishëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në evidentimin dhe parandalimin e praktikave të pasurimit korruptiv, ndërsa kërkuan forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve në parandalimin e këtyre fenomeneve. Në vijim, mbledhja e Komisionit të Ligjeve u fokusua te shqyrtimi dhe më pas miratimi i një projektrezolute, në të cilën ILDKP-së i kërkohet forcimi i instrumenteve të investigimit administrativ, forcimi i bashkëpunimit dhe mbështetjes ndaj shoqërisë civile, si dhe të informojë Kuvendin lidhur me rastet kur autoritetet përgjegjëse neglizhojnë apo kapin rezultate të ulëta në ndjekjen dhe ndëshkimin e konfliktit të interesit apo fshehjes së pasurisë të zbuluar nga ILDKP-ja.

Reagon Prokuroria ndaj akuzave të kreut të ILDKP-së: “Kemi zbatuar ligjin”

Menjëherë pas deklaratës së Inspektorit të Përgjithshëm të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë lidhur me faktin se Prokuroria përdor dy standarde në hetimin e rasteve të referuara nga ILDKP-ja, ka reaguar Prokuroria e Përgjithshme.
Me anë të një njoftimi për shtyp thuhet se Prokuroria, vendimmarrjen, në rastin e hetimeve penale, e bazon në provat e administruara gjatë hetimit nga Policia Gjyqësore. Në rastin kur pushohen hetimet, vendimet e Prokurorisë në bazë të ligjit janë të ankimueshme në gjykatë dhe te prokurori më i lartë. “Prokuroria, gjatë vitit 2009, për kallëzimet e paraqitura nga ILDKP-ja, ka pushuar hetimet për shtetasin Florian Nova, me detyrë ambasador, shtetasin Arjan Ndoja, me detyrë prokuror dhe shtetasin Shpëtim Guxholli, me detyrë inspektor tatimesh në Korçë. ILDKP-ja është njohur rast pas rasti me vendimet e pushimit dhe ka ankimuar në gjykatë vendimet e pushimit vetëm për shtetasit Florian Nova dhe Arjan Ndoja”, – bën të ditur Prokuroria e Përgjithshme. Më tej thuhet se Gjykata e Tiranës, me Vendimin Nr.1466, datë 25.11.2009 dhe Vendimin Nr.523, datë 22.04.2009, ka lënë në fuqi vendimet e pushimit të Prokurorisë si të bazuara në prova dhe ligj. Kjo gjë, sipas organit të akuzës, tregon se vendimmarrja e Prokurorisë nuk ka qenë me standarde të dyfishta, por e bazuar në ligj. Lidhur me zyrtarin e lartë të emëruar nga Kuvendi, për të cilin ILDKP-ja pretendon se janë mbyllur hetimet pa të drejtë nga Prokuroria, organi i akuzës sqaron se bëhet fjalë për Detar Hysin, me detyrë anëtar i KKRTSH-së. “Ky është një rast i vitit 2008, i kallëzuar nga ILDKP-ja për refuzim deklarimi nga Detar Hysi. Prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve për faktin se ILDKP-ja nuk kishte ezauruar më parë masën administrative që kërkon neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal. Vendimi i pushimit i është bërë prezent ILDKP-së dhe nuk është kundërshtuar nga ana e tyre as në gjykatë dhe as te prokurori më i lartë”, – mbyllet reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme.

Komisioni i Medias miraton rezolutën për KKRT-në

Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskutoi dhe miratoi dje projektrezolutën për Raportin e Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve për vitin 2009. Në këtë projektrezolutë thuhet se Kuvendi vëren së KKRT-ja ka arritje të dukshme në zbatimin e kërkesave të Kuvendit, të shprehura në rezolutën e vlerësimit të punës të vitit 2008. Kuvendi vlerëson se KKRT-ja gjatë vitit 2009 ka bërë përpjekje maksimale për të rritur eficiencën e punës së saj, duke kontribuar në ngritjen e cilësisë së shërbimit të radios dhe televizionit dhe në mbrojtjen e interesave të operatorëve dhe konsumatorëve.
Ndër të tjera, në projektrezolutë vlerësohet KKRT-ja në hartimin e projekt-strategjisë së kalimit nga sistemi analog në atë numerik. Kuvendi, ndër të tjera, kërkon nga KKRT-ja implementimin sa më të shpejtë të transmetimeve dixhitale, rritjen e efikasitetit të luftës kundër piraterisë televizive, zbatimin e etikës në transmetimet televizive etj.
Më tej mbledhja e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vijoi me vazhdimin e diskutimit për projektligjin “Për transmetimet me zë dhe figurë në Republikën e Shqipërisë”.

2 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›