E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzuan me ndihmat ekonomike, nën akuzë kryekomunari i Liqenasit

KORÇË/ Katër punonjës të komunës janë vënë nën hetim pasi u zbuluan abuzimet me detyrën


KORÇË- Kryekomunari dhe tre zyrtarë të komunës Liqenas vihen nën hetim për abuzime me detyrën.


Komuna Liqenas e populluar me rreth 5 mijë banorë të gjithë të komunitetit maqedonas është përfshirë nga hijet e një skandali, ndërkohë që katër punonjësit më të rëndësishëm të kësaj njësie vendore janë në ndjekje penale. Policia e Korçës ka mundur të zbulojë skemën e abuzimeve, ndërkohë që ka nisur dhe hetimi në gjendje të lirë për zyrtarët e komunës.


Abuzimi lidhet me përfshirjen në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike banorë të zonës që nuk plotësojnë kriteret për t'u mbështetur ekonomikisht nga shteti.


Burime të policisë së Korçës bëjnë të ditur për gazetën "Shekulli" se procedimi penal për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës" ka nisur ndaj kryetarit të komunës Liqenas Edmond Themelko, si dhe tre punonjësve të tjerë të kësaj komune, shtetasve: Ilia Themelko, Spase Vurmo dhe Sterjo Kolefski. Këta persona mësohet se kanë shtuar plot 10 familje pa të drejtë në listën e atyre që përfitojnë ndihmë ekonomike.


Mësohet se familjet e shtuara jetonin në kushte të mira ekonomike, madje me tokë bujqësore të cilën e shfytëzojnë për të rritur të ardhurat e tyre, ndërsa nuk duhet të ishin trajtuar për asnjë moment me këto të ardhura mujore, duke privuar nga kjo e drejtë familje që kanë nevojë jetike për këtë ndihmë.


Zbulimi i përfitimit të padrejtë nga ndihma ekonomike është bërë pas disa sinjalizimeve që kanë ardhur në adresë të Zyrës së Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë në Korçë.


Pas verifikimeve të shumta ka rezultuar se numri i personave që kanë fryrë listat e atyre që marrin ndihmë ekonomike në komunën e Liqenasit në rrethin e Korçës janë të konsiderueshëm, ndërsa gjithçka është bërë për qëllime fitimi nga ana e zyrtarëve të përfshirë nën hetim.


Çështja nga e mërkura i ka kaluar organit të akuzës në qytetin juglindor, ndërsa ndaj katër personave, njëri prej të cilëve kryetar i komunës, është ngritur akuza e "shpërdorimit të detyrës".


Prej më shumë se një viti shteti shqiptar ka pësuar një dëm të konsiderueshëm financiar, ndërkohë që hetimi vazhdon për të zbardhur deri në fund këtë abuzim me përfshirjen në skemën e ndihmës ekonomike shtetas që nuk plotësojnë kushtet për ta pasur atë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›