E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dërgonin klandestinë në Greqi, pesë në pranga

 

Sipas policisë, të arrestuarit grumbullonin të interesuar nga rrethet dhe i transportonin më pas në Greqi

Arrestimi, në kuadër të operacionit "Rruga e Re". Dy persona, pjesë e grupit, shpallen në kërkim

Vlorë-Pesë persona kanë rënë në pranga nën akuzën e favorizimit dhe ndihmës në kalimin e paligjshëm të kufirit. Sipas burimeve të policisë së Vlorës, bëhet e ditur se arrestimet janë bërë në kuadër të operacionit të koduar "Rruga e Re", organizuar nga efektivët e policisë, si rezultati një pune hetimore në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit gjyqësor të Vlorës. "Të arrestuarit janë Sokol Ahmetaj, 22-vjeç, nga Mallakastra, banues në Korfuz; Agim Bajaj, 55-vjeç nga Vlora, banues në Sarandë; Nase Danga, 36-vjeç nga Saranda, i dënuar në Greqi për transport të narkotikëve; Sulejman Mulla, 49-vjeç, banues në Sarandë dhe Florenc Mulla, 22-vjeç, po nga Saranda"- thanë burimet policore. Sipas tyre, dy persona të përfshirë në të njëjtin rrjet janë shpallur në kërkim për të njëjtën akuzë.

***

Drejtimet e lëvizjes së klandestinëve kanë pasur qëllim hyrjen nga Shqipëria në territorin grek dhe më pas në vendet e tjera të komunitetit evropian, kundrejt pagesës. Sipas policisë, grumbullimi i tyre bëhej nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë. "Pasi grumbulloheshin, bëhej në mënyrë të organizuar transporti drejt qytetit të Sarandës, për të kaluar më tej në territorin e shtetit grek, nëpërmjet kufirit tokësor apo atij detar",- thonë burimet. Mësohet se dy personat e shpallur në kërkim janë të dyshuarsi bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj vepre penale. "Po punohet nga ana e policisë për gjetjen dhe kapjen e tyre",- thonë të njëjtat burime. Nuk jepen ende të dhëna se sa para paguanin klandestinët në këmbim të ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit. Por, mësohet se hetimet janë në vazhdim, duke qenë se ka ende persona të dyshuar si pjesë e grupit që janë të lirë. Pritet gjithashtu të saktësohet koha gjatë së cilës personat e ndaluar e kanë ushtruar këtë veprimtari të paligjshme në këmbim të përfitimit.

***

Ndalimi i pesë të akuzuarve, erdhi pas të dhënave operacionale dhe pas survejimit të veprimtarisë që ata kryenin. Sipas policisë, në momentin e ndalimit, personave iu bllokuan në cilësinë e provës materiale një sasi aparatesh telefonike celularë, si dhe dy automjete, të cilat dyshohet se përdoreshin për transportin e klandestinëve nga qyteti i Sarandës në drejtim të kufirit të gjelbër me shtetin grek. Ndërkohë do të merren si prova bisedat telefonike të bëra për të rënë në gjurmë të të shpallurve në kërkim. Të gjitha materialet për këtë çështje janë dokumentuar në prokurorinë e Vlorës për veprime të mëtejshme hetimore, kurse të ndaluarit pritet të dalin për caktimin e masës së sigurisë. Vetëm pak ditë më parë, në kuadër të një operacioni me të njëjtin qëllim ranë në pranga 7 persona, që bënin transport klandestinësh, po në drejtim të Greqisë.

TË ARRESTUARIT

Sokol Ahmetaj, 22 vjeç, lindur në Mallakastër dhe banues në Korfuz, Greqi

Agim Bajaj, 55 vjeç, lindur në fshatin Kuç, Vlorë dhe banues në qytetin e Sarandës

Nase Danga, 36 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mursi, Sarandë

Sulejman Mulla, 49 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë

Florenc Mulla, 22 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›