Kapen hajdutët e dënuar në mungesë
Kanë përfunduar në prangat e policisë dy të rinj, të shpallur fajtorë nga gjykata për akuzën e vjedhjes. Burime zyrtare nga Policia e Beratit bëjnë të ditur se pasditen e së martës janë ndaluar 24-vjeçari Entil Hysi nga fshati Gurazes dhe Myftar Vlashi, 23 vjeç, banor i fshatit Cëricë. Dy të rinjtë nga Skrapari janë ndaluar rreth orës 19.00 të së martës, në qytetin e Beratit. Hysi dhe Vlashi janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Rrethit të Korçës për "vjedhje në bashkëpunim" dhe ishin dënuar me tre muaj burg. Në muajin mars ata kishin vjedhur disa bagëti në një fshat të rrethit të Korçës, në kufi me Skraparin.