E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis shkaterrimi i 90 mije tone municioneve

TIRANE- Shqipëria ka në gjendje 90 mijë tonë municione të vjetra. Falë një projekti bashkëpunimi me Danimarkën dhe OSBE-në, municionet mund të shkatërrohen brenda 2013, dy vjet më herët se është parashikuar.

Kreu i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Robert Bosch, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe ambasadori danez në Tiranë, Ankjær Jensen, qenë sot në uzinën e lëndëve plasëse të Mjekësit, në Elbasan, për të përuruar vënien në punë të dy sharrave prerëse industriale, të cilat do të përdoren për të shkatërruar municionet e tepërta. Ndërkohë Katër sharra të tjera janë instaluar në uzinën e Poliçanit.

“Këto pajisje të reja do të dyfishojnë kapacitetin e Ministrisë në shkatërrimin e municioneve të tepërta e të vjetra, duke e bërë kështu Shqipërinë një vend më të sigurt për të jetuar,” tha Bosch, informon zyra e shtypit e OSBE-së.

Ambasadori danez, vendi i të cilit ka dhuruar sharrat, tha se shkatërrimi i municioneve është një ndarje konkrete me të shkuarën. “Ai është gjithashtu simboli i partneritetit të ardhshëm e të ri mes dy vendeve anëtare të NATO-s,” shtoi ai.

Në emër të qeverisë shqiptare, ministri Imami falënderoi Prezencën e OSBE-së dhe qeverinë e Danimarkës për pajisjet.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›