E Diel, 1 Nëntor 2026

Një shqiptare nga Veriu i varfër, merr çmim akademik

SHËNIM I REDAKTORIT: Artikulli i mëposhtëm është marrë nga Lajmet e Universitetit të Exeter, Angli dhe është dërguar në adresën e-mail të "Shekulli-Kontakt" nga një grup studentësh të këtij universiteti. Shënimi flet për çmimin dhe jetën e një shqiptareje të lindur në malësitë e varfra të Shqipërisë, por që ka ditur të arrijë në majat e ambienteve akademike. I urojmë Klejdës, suksese! "Shekulli" inkurajon dërgimin e shënimeve të tilla, për të gjithë të rinjtë shqiptarë që bëjnë sukses brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Një çmim ndërkombëtar i cili njeh individë të shquar në grup moshën 18-40 vjeç, që kanë arritur suksese të dukshme në rrethana të vështira i është dhënë shqiptares Dr.Klejda Mulaj, që aktualisht është lektore në Universitetin e Exeter në Britaninë e Madhe - (Universiteti i Vitit 2007 / 2008)
Klejda fitoi çmimin "Personi i shquar i 2007" në kategorinë "Arritje Akademike". Ky çmim u dha nga Junior Chamber International (JCI) në Maltë. JCI është një organizatë ndërkombëtare profesionaliste e cila operon në 100 vende të botës. Misioni i kësaj organizate është të kontribuojë në përparimin e komunitetit botëror duke i krijuar mundësi brezit të ri të zhvillojë aftësi drejtuese dhe përgjegjësi shoqërore, të nevojshme për transformimin pozitiv të shoqërisë. Fitues të mëparshëm të çmimeve të dhëna nga JCI përfshijnë personalitete të njohura botërore, si Orson Wells, J.F.Kennedy dhe Henry Kissinger.
Çmimi i dhënë Klejdës reflekton sfidat që i është dashur të kapërcejë asaj për të arritur suksesin aktual akademik. Klejda u rrit në Shqipërinë e Veriut, rrethuar me varfëri, censurë komuniste dhe mungesë të lirisë. Nën këshillën e prindërve të saj, Klejda studioi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (dega Fizikë Speciale) të Universitetit të Tiranës - mbasi shkencat ekzakte ishin më pak pronë e manipulimeve ideologjike. Në vitin 1994 Klejda filloi studimet pas Universitare në Akademinë Diplomatike të Universitetit të Maltës. Mbas përfundimit të studimeve në Maltë, Klejda Mulaj punoi disa vjet për Qeverinë Malteze dhe më pas u regjistrua në London School of Economics and Political Science (LSE) ku - në vitin 2004 - fitoi titullin Doktore Shkencash në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Studimet e saj në Londër kërkuan këmbëngulje dhe punë të palodhur në një ambient akademik, që tërheq studentë shumë të përgatitur nga Perëndimi dhe mbarë bota.
Aktualisht Klejda punon me Professor Gareth Stansfield në Qëndrën e Studimeve Etniko-Politike në Universitetin e Exeter ne Angli, ku ajo drejton një projekt që studion influencën e Aktorëve Violent Jo-Shtetëror në Politikën Botërore Aktuale. Libri i parë i Klejdës - i mbështetur në tezat e saj të Doktoraturës - i titulluar Politika e Spastrimit Etnik – është në proces botimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Libri del në qarkullin në muajin Mars.
DICITURA
Në foto: Dr.Klejda Mulaj, lektore në Universitetin e Exeter në Britaninë e Madhe. Fotoja është marrë nga Lajmet e Universitetit të Exeter, Angli. Foto tjetër, pamje nga Universiteti Exeter në Angli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›