E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheta: Mbrojtja e Teutës është e blinduar

Nga DORIAN AGOLLI

Sipas kapitenit të ekipit durrsak, edhe në ndeshjen e radhës përballë Dinamos pritet vetëm fitorja 

Mbrojtja e Teutës është blind dhe nuk çahet. Kështu shprehet kapiteni i Teutës, Arjan Sheta, i cili shton se mbrojtja durrsake është në lartësinë e duhur, pasi nga shtatë ndeshje, vetëm në ndeshjen e Shkodrës është mposhtur, ndërkohë që në gjashtë të tjera ka qenë e pakalueshme. Këtë sezon Teuta ka diçka më shumë krahasuar me sezonin e kaluar, pasi grupi është më i konsoliduar dhe është përforcuar me disa lojtarë me përvojë që i japin siguri Teutës në lojë.

Unë mendoj se ne i kemi mundësitë për të vazhduar më këto rezultate dhe në takimet vijuese, -thekson Sheta, i cili shprehet se në ndeshjen kundër Dinamos nuk tolerohet asnjë rezultat, përveç tripikëshit, teksa thotë: Në Durrës fitimtarë janë vetëm durrsakët. Kjo nuk do të thotë se ne do ta nënvlerësojmë Dinamon, pavarësisht problemeve që ka ky ekip. Por ne shohim rrugën tonë dhe po e trajtojmë këtë ndeshje njësoj si të tjerat. Jo vetëm pse luajmë në fushën tone, por edhe pse kërkojmë të ruajmë kryesimin. Të gjithë kemi besim të plotë se do të marrim tri pikë të tjera këtë javë.

Kompaktësia Kapiteni i durrsakëve shton se Teuta po tregon se nuk po bën një futboll thjesht mbrojtës, por po zhvillon lojëra bindëse, kur thotë: Kam dëgjuar shpesh që thuhet se Teuta bën një futboll mbrojtës. Por nëse ne vetëm do të mbroheshim, atëherë nuk do të kishim fituar pesë ndeshje. Ne kemi treguar se jemi kompaktë dhe të gjithë jemi në ndihmë të skuadrës, si në rastet kur mbrojmë, edhe atëherë kur duhet të sulmohet.

Nuk është e lehtë të jesh rezultativ që në fillim të sezonit dhe fatmirësisht ne e kemi arritur këtë. Sërish mendoj se mbrojtja do të jetë në lartësinë e duhur dhe rolet janë të gjitha të dubluara, sidomos në mbrojtje. Unë kam shumë besim se do të jemi ndër më të mirët e këtij sezoni dhe jo vetëm pse fillimi është i mbarë, por edhe pse jemi një grup kompakt e agresiv, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës sonë..

 


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›