Shpërthimet në Bisht-Pallë, alarmohen pushuesit ditorë
Prej disa ditësh, në bregdetin e Bishtit të Pallës janë dëgjuar shpërthime, të cilat kanë zgjatur disa orë, aq sa pushuesit në atë pjesë të bregut të detit janë frikësuar e një pjesë prej tyre kanë ndërruar plazhin. Pushuesit dhe banorët e zonës kanë kujtuar se shpërthimet mund të jenë shkaktuar nga qitjet luftarake të ndonjë reparti ushtarak. Por ato pothuajse kanë qenë sporadike, sepse nga dje atje nuk është dëgjuar asnjë shpërthim i tillë. Burime nga forcat xheniere të dislokuara në zonën e Durrësit bënë të ditur për “standard” se “shpërthimet e dëgjuara në pjesën veriore të bregdetit pranë Bishtit të Pallës janë shkaktuar nga asgjësimi i municioneve të paplasura e të grumbulluara pas shpërthimit të Gërdecit”. Sipas burimit, rezulton se shpërthimet janë shkaktuar nga asgjësimi i djegoreve të paplasura të predhave të artilerisë, të cilat ishin dërguar në Gërdec për demontim. Për asgjësimin e tyre është zgjedhur poligoni ushtarak pranë fshatit Rinia. Për disa ditë me radhë atje janë asgjësuar disa qindra djegore të cilat alarmuan pushuesit në plazhet pranë poligonit. Nga ana e saj, ushtria kishte njoftuar Komunën e Katundit të Ri, e cila e ka në administrimin e saj zonën ku janë asgjësuar djegoret e ushtrisë. Sipas pushuesve, kjo nuk ka qenë koha e papërshtatshme për të realizuar asgjësimin e djegoreve të mbetura nga shpërthimi i Gërdecit, pasi krijon frikë tek ata. Edhe orët e paradites dhe pikërisht në kohën e pikut të plazhit, ato e dëmtojnë imazhin e mirë të krijuar për bregdetin e kësaj zone gjatë këtij sezoni turistik. Vitin që shkoi në këtë zonë u realizua asgjësimi i municioneve detare të grumbulluara në bazën e Bishtit të Pallës nga disa qytete bregdetare si Durrësi, Vlora, Saranda dhe Lezha. Ky operacion pati zgjatur më shumë se 3 muaj, duke përfshirë edhe sezonin e verës. Shpërthimet edhe atëherë krijuan shqetësim dhe frikë tek pushuesit, pasi në një rast vitin e kaluar, asgjësimet e municioneve detare patën shkaktuar një zjarr të madh në kodrën ngjitur me bazën pikërisht pranë tuneleve, ku ishin grumbulluar municionet, ndërkohë që është dashur ndërhyrja e zjarrfikëseve.