E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet, të vegjlit zvogëlojnë tregun e kompanive të mëdha

Kompanitë e reja të sigurimeve që kanë hyrë në këtë treg po tentojnë të zënë një pjesë të mirë të tij, duke tentuar të rivalizojnë kompanitë e mëdha. Gjatë vitit 2008, vihet re se kompanitë e vogla kanë zgjeruar hapësirat e tyre në treg, duke marrë edhe një pjesë të asaj që më pas është zotuar nga kompanitë e mëdha. Të dhëna nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se si po riformatohet tregu i sigurimeve gjatë gjysmës së parë të vitit 2008. Sipas të dhënave të AFM-së, kompania “Sigal” vazhdon të mbetet në krye të tregut të sigurimeve të jo jetës, por ajo ka humbur vazhdimisht treg gjatë vitit 2008. Pjesa e tregut të “Sigal” ka rënë me rreth 1.3% në krahasim me fundin e 6-mujorit të parë 2007. “Sigal” është përqendruar në rritjen e primeve nga sigurimet vullnetare (mbi 11%), ndërsa të ardhurat nga sigurimi motorik janë rritur vetëm me 0.12%, sipas të dhënave nga AMF. Edhe “Sigma” ka pësuar rënie, madje me të dukshme, duke zbritur në 16.1% të tregut, nga 19% në fund të 6-mujorit të parë 2007. Kjo shoqëri ka pasur dhe një ulje të ndjeshme të të ardhurave nga primet në tregun motorik me 13%. Të dyja këto kompani po humbin terren në kategorinë e kartonit jeshil.

Janar-qershor, tregu i sigurimeve rritet me 18.19 për qind

Gjatë periudhës janar-qershor 2008 tregu i sigurimeve ka një rritje në masën 18.19% në krahasim me periudhën janar- qershor 2007, sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Volumi i primeve të shkruara bruto është rritur me 494.056 mijë lekë dhe kap shifrën 3.210.103 mijë lekë. Kjo rritje është ndikuar nga rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në portofolin MTPL (sigurimi i brendshëm i detyrueshëm) në masën 17.44 %. Por, ndërsa të ardhurat janë rritur nuk ka ndodhur e njëjta gjë me dëmet. Pagimi i tyre është ulur, pavarësisht se numri i aksidenteve, sipas të dhënave nga Policia Rrugore është rritur. Madje, rritja e aksidenteve me pasojë vdekjen në Shqipëri është më e shpejtë se në çdo vend të botës, sipas një raporti nga Forumi Ndërkombëtar i Transporteve. Por, të dhënat e AMF-së tregojnë se në 6-mujorin e parë të 2008-s gjithsej janë paguar 640.277 mijë lekë dëme ose 17.60 % më pak se në periudhën janar-qershor 2007. Me 16% kanë rënë dhe dëmet e paguara në kategorinë e përgjegjësisë motorike ndaj palëve të treta, që përbën pjesën më të madhe të tregut total të sigurimeve. Kryesisht janë ulur dëmet e paguara të kartonit jeshil (me 46%), ndërsa dëmet e sigurimit të brendshëm motorik janë rritur me rreth 17%. Si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave nga primet dhe uljes së dëmeve të paguara, raporti dëme/prime ka rënë ndjeshëm gjatë vitit 2008, si për totalin e tregut, ashtu dhe për atë të sigurimeve motorike.

Gjatë vitit 2008, sipas të dhënave të AMF-së, ka një rritje të peshës së aktivitetit të jetës, që përbënte 8.06% të totalit të tregut, nga 6.8% që ishte pesha e këtij tregu në 6-mujorin e parë të vitit 2007. Por, përsëri tregu ka vazhduar të mbështetet në sigurimet e detyrueshme, që përbëjnë 60% të totalit të tregut të sigurimeve dhe 65% të sigurimit të jo jetës.

Ndarja e tregut / Sigurimi i jo jetës, 6-mujori 2007

Shoqëria e sigurimeve që ka humbur më shumë pjesë tregu gjatë vitit 2008 në tregun e sigurimeve të jo-jetës është INSIG. Si një kompani shtetërore, INSIG e ka pasur të vështirë të ndjekë lojën e konkurrentëve të saj privatë, duke dorëzuar gati 3% të tregut, ndërsa primet e shkruara bruto në sigurimin motorik kanë rënë me 31%. Tregun e kanë marrë kompanitë e ashtuquajtura të vogla (që tashmë nuk mund të quhen më të tilla) si “Interalbanian” dhe “Alsig”. Edhe “Atlantik” ka pasur një rritje, por më të vogël. Këto ndryshime janë udhëhequr më shumë nga ndryshimi i konjukturës së tregut të sigurimeve motorike.

Kufizime në Tiranë, remont në linjën 110 të Nënstacionit të Qendrës

Disa zona kryesore të kryeqytetit do të kenë kufizime të energjisë elektrike gjatë ditës së sotme. KESH ka njoftuar dje për kufizimin e energjisë elektrike, si shkak i punimeve që do të kryhen në nënstacionin elektrik. Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare njoftoi se në kuadër të investimit “Furnizimi dhe instalimi i pajisjeve për rehabilitimin, kontrollin, mbrojtjen dhe monitorimin e nënstacionit Tirana 1 dhe Elbasan 1”, që po realizohet nga Departamenti i Investimeve të KESH sh.a., ditën e nesërme datë 10 gusht do të kryhen punime në linjën 110 të Nënstacionit të Qendrës. Për këtë arsye duke nisur nga ora 08:00-17:00 do të ketë stakim të energjisë elektrike në zonat që furnizohen nga ky nënstacion; respektivisht Blv. “Zogu i Parë”, Rr. “Mine Peza”, Rr. “Myslym Shyri”, “Shallvaret”, “Pazari i Ri”, Rr. “Qemal Stafa”, “Selvia” dhe “Rruga e Barrikadave”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›