E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheva: “Bllohin, mos u largo!”

Humbja në Gllazgou u dha fund shanseve të Ukrainës për një kualifikim të mundshëm në finalet e Kampionatit Europian. Trajneri Oleg Bllohin është duke riparë pozicionin e tij për të vazhduar aventurën në bankinën e Ukrainës ose jo. Pas humbjes 3-1 me Skocinë, futbollisti më i rëndësishëm Shevcenko la të kuptohet se lojtarët duhet të marrin përgjegjësinë dhe jo t'i mbetet trajnerit Bllohin, i cili ndihmoi Ukrainën të arrinte në finalet e Kupës së Botës 2006. "Unë nuk dëshiroj që stafi i trajnerëve të shikohet si fajtori kryesor", - tha sulmuesi i Celsit. "Ne arritëm në finalet e Kupës së Botës dhe bëmë një punë të mirë atje, bëmë një start të mirë në kualifikueset e Europianit. Gjithcka më pas u shkatërrua gjatë muajve të fundit". Shevcenko është plotësisht i bindur se trajneri i ekipit kombëtar ka ndryshuar gjërat për mirë në nivelin ndërkombëtar dhe ai nuk duhet të ndihet i detyruar të largohet. "Le ta bëjmë të qartë se Bllohin është prapa gjithë sukseseve të shkëlqyera në historinë e futbollit ukrainas, gjëra që më parë nuk ishin parë", - deklaroi Andrij Shevcenko, i cili shënoi edhe golin e vetëm për Ukrainën kundër Skocisë. "Unë dëshiroj që Bllohin të qëndrojë si trajner i Kombëtares". Ukraina renditet e katërta në Grupin B me 13 pikë në 9 ndeshje, por 11 pikë larg Skocisë së vendit të parë, 10 pikë më pak se Italia e vendit të dytë dhe 9 më pak se Franca, e treta, kur të tre të parat kanë luajtur nga një ndeshje më shumë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›