Shevcenko ne dyshim ndaj Anglise

Ukraina rrezikon të luajë pa yllin e skuadrës, Andrij Shevçenko në sfidën vendimtare kundër Anglisë, e fundit në Grupin D, që do të zhvillohet të martën.
Ish-sulmuesi i Milanit dhe Çelsit ka probleme prej një dëmtimi në gju dhe për këtë arsye, ai është detyruar të mungojë në seancën e parafundit stërvitore, përpara duelit me “Tre Luanët” në Donjeck.
Një zëdhënës i federatës ukrainase ka bërë të ditur se “Shevçenko ka pësuar një goditje në gju, në pjesën e dytë të ndeshjes me Suedinë dhe një tjetër goditje në të njëjtin vend në sfidën përballë Francës. Lojtari e kishte të pamundur të stërvitej dhe është në dyshim për ndeshjen me Anglinë”.
Stafi mjekësor i përfaqësueses së Ukrainës ka nënvijëzuar se doktorët po bëjnë të pamundurën që sulmuesi 35-vjeçar të rehabilitohet në kohë, megjithatë dyshimet qëndrojnë.
Nëse Shevçenko nuk do të jetë në gjendje të luajë, mungesa e tij do të ishte një humbje shumë e madhe për ekipin ukrainas, që i ka varur shpresat te golat e “veteranit”, për të synuar kualifikimin në çerekfinalet e Euro 2012.
Lojtari i Dinamos së kievit konfirmoi se mund të vazhdojë ende të luajë në nivele të larta, pasi realizoi dy gola në fitoren 2-1 që Ukraina regjistroi në debutimin në Kampionatin Europian përballë Suedisë. Gjithashtu, kjo do të ishte hera e parë që Shevçenko do të mungonte në duelet e përfaqësueses së tij kundër Anglisë, që prej majit të vitit 2000.