Vendosja e tarifave të mirëmbajtjes, 214 mijë klientë nuk rinovojnë kartat e debitit
Vendosja e komisioneve nga bankat private për mirëmbajtjen e sistemit të kartave të debitit dhe kreditit, ka bërë që rreth 214 mijë klientë bankash të mos rinovojnë kartat e tyre të debitit dhe rreth 500 karta krediti, gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Këto statistika bëhen të ditura nga Shoqata Shqiptare e Bankave, sipas të cilës numri i kartave bankare në qarkullim u ul në mënyrë drastike me më shumë se një të tretën. Në dhjetor, në qarkullim kishte 735 mijë karta bankare, nga të cilat 718 mijë qenë karta debiti, ndërsa 17 mijë kishin funksione krediti. Në fund të marsit, numri i kartave total ra në 520 mijë. Shkaku i uljes së numrit të kartave lidhet më së shumti me vendosjen masive të komisioneve mujore të mirëmbajtjes nga ana e bankave gjatë vitit 2008. Pasi premtuan shërbime bankare bazë pa kosto në vitet 2000, rritja e biznesit të furnizuar me mekanizma ligjorë nga qeveria, i shtyu bankat të vendosin komisione apo t‘i rrisin ato. Sot të gjitha bankat zbatojnë komisione bankare më vete për llogari rrjedhëse dhe për kartë bankomati. Kalimi i pagave të sektorit publik përmes bankave, si dhe urdhri për kryerjen e të gjitha pagesave të biznesit me urdhërxhirim, ka majmur të ardhurat e bankave nga komisionet për shërbime. Kjo gjë solli edhe rritjen e shpejtë të numrit të kartave të debitit në qarkullim në Shqipëri, karta që më së shumti kanë funksionuar vetëm për tërheqjen e parave në bankomate. Numri i dyqaneve që pranojnë pagesa me kartë është shumë i vogël, ndërkohë që kartat që qarkullojnë në Shqipëri në shumicë dërrmuese nuk mund të përdoren për pagesa në internet. Për pasojë, shumë shqiptarë nuk po e ndiejnë më të nevojshme mbajtjen e një karte bankare dhe pagesën e komisioneve mujore për të. Nën stresin e humbjes së klientëve, shumë banka po ushtrojnë presion kundrejt punonjësve për të thithur klientë në rinj.
Shkurt
Java nis me një rritje të re të çmimit të karburanteve në treg
Çmimet mesatare të karburanteve në Tiranë kanë pësuar përsëri rritje në fundjavën e kaluar, pasi kishin qëndruar të pandryshuara që prej tetë javësh. Çmimet mesatare në tregun e karburanteve aktualisht janë: 1 litër naftë me 113 lekë, 1 litër benzinë me 116 lekë dhe 1 litër Euro Diezel me 119 lekë, ndërkohë që më parë ishin: 1 litër naftë me 110 lekë, 1 litër benzinë me 108 lekë dhe 1 litër Euro Diezel me 115 lekë. Kjo rritje e çmimeve të karburanteve pason rritjen e fundit të bërë me 10 lekë për litër më 19 mars. Dy rritjet e fundit të çmimeve të karburanteve pasuan uljen e fundit të çmimeve me 5 lekë për litër këtë vit më 12 janar, ashtu si dhe në fundin e vitit të kaluar po me 5 lekë për litër. Sipas tregtarëve në pika të ndryshme të shitjes së karburanteve në kryeqytet, çmimet e karburanteve në tregun vendas janë të lidhura me konjukturat në tregun ndërkombëtar të karburanteve, që vazhdojnë të ndikojnë në çdo lëvizje të tregut shqiptar të karburanteve. Kjo, pasi çmimi i një fuçie nafte në tregun ndërkombëtar vazhdon të ketë rritje gjatë këtij viti. Ndërkohë që në fillim të vitit një fuçi nafte shitej me 46 dollarë, aktualisht çmimi është rreth 60 dollarë për fuçi.
Gjirokastër, Dhoma e Tregtisë: Masa për të shmangur krizën
Kriza ekonomike ka prekur kryesisht sektorin e fasonistëve dhe të ndërtimit në qytetin jugor të Gjirokastrës. Kryetari i Dhomës së Tregtisë në këtë qytet Mustafa Devolli tregon se disa firma janë detyruar të bëjnë shkurtimin e fuqisë punëtore, ndërsa disa të tjera kanë pezulluar aktivitetin. “Kjo nuk do të thotë që duhet krijuar panik por duhen marrë masa nga vetë bizneset për të shmangur efektet negative të krizës. Qeveria duhet të japë ndihmesë në drejtim të legjislacionit fiskal”, - tha përfaqësuesi i biznesit gjirokastrit, Devolli. Sipas shifrave të dhëna nga Qendra Rajonale e Biznesit pak ditë më parë që nga muaji janar dhe deri tani, kanë mbyllur veprimtarinë dhe janë çregjistruar 54 biznese të llojeve të ndryshme. Po nga kjo zyrë mësohet se shumica e këtyre bizneseve janë të sektorit të rrobaqepësive dhe të tregtimit të materialeve të ndërtimit. Mbyllja e veprimtarisë tregtare apo prodhuese e mjaft njësive në sektorin e ndërtimit, sipas vetë ndërtuesve është e lidhur me uljen e ndjeshme të ndërtimeve në këtë sektor apo edhe me blerjet e pakta të apartamenteve.
19 Maj 2009