Gjermani, 211 mijë vetura u shitën në janar
Shitja e automobilave të rinj në Gjermani në janar ka shënuar rritje 17 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shoqata gjermane e automobilave VDA ka njoftuar se muajin e kaluar janë shitur gjithsej 211.100 automjete.
Ngritja e shitjes së automjeteve, sipas shoqatës, arsyetohet me shitjen e madhe të automobilave me naftë.
Nga shitja në tregun gjerman më së shumti kanë fituar brendet gjermane. Rreth 40 për qind të automjeteve të shitura, për karburant përdorin naftën.
Njëkohësisht, eksporti gjerman është rritur për 10 për qind në shkallë vjetore, në 312.800 automjete, derisa prodhimi në përgjithësi është rritur po ashtu për 10 për qind, në 416.100 automjete, tregojnë të dhënat e VDA.
Porositë e pakryera për sektorin e automobilave janë ngritur për 27 për qind dhe kanë arritur shifrën prej 435.300 automobilave, që është shkalla më e lartë për muajin e parë në vit që nga janari i vitit 2001, thuhet më tej në komunikatë.
Në vitin 2009, tregu gjerman i automobilave ka shënuar rënie për një të katërtën, për shkak të heqjes së subvencioneve për blerësit, të cilat kishin për qëllim ndërrimin e automjeteve të vjetra me ato të reja.
Për këtë vit, VDA parasheh që në Gjermani të rriten gjithsej 3.1 milionë automjete, që do të thotë se shitja në nivel vjetor to të rritet për rreth gjashtë për qind dhe se do të tejkalohet shkalla e arritur në vitin 2008.
Nga tregjet tjera më të mëdha evropiane, prodhuesit francezë të martën kanë paralajmëruar për rritje të automobilave në muajin janar prej 8,2 për qind, derisa në tregun italian është shënuar rënie e shitjes prej 20,7 për qind, kurse prodhuesit spanjollë kanë lajmëruar për rënie prej 23,5 për qind.