Tifozët e Tiranës: Duam gjyqtarë të huaj në Korçë
Tifozët e Tiranës kanë kërkuar zyrtarisht që për ndeshjen me Skënderbeun të arbitrojë një treshe e huaj. Gjatë një deklarate ditën e djeshme, këta të fundit kanë dhënë edhe arsyetimet e kësaj kërkese. Të ndërgjegjshëm për njëanshmërinë e gjyqtarëve shqiptarë dhe paaftësinë e tyre për të gjykuar një ndeshje të tillë, të ndërgjegjshëm për dëmet që këta gjyqtarë i kanë shkaktuar ekipit tonë, tifozeria bardheblu që do të udhëtojë në Korçë, qindra mijëra të tjerë që mbështesin ekipin kudo dhe qindra mijëra tifozë brenda e jashtë vendit kërkojnë që ndeshja Skënderbeu-Tirana të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh ndërkombëtarë! Le të jenë nga çdo kombësi, por vetëm shqiptarë jo. Një kërkesë e tillë bëhet jo vetëm për faktin se pikërisht kjo është ndeshja ku luhet titulli kampion, por edhe për sensibilizimin e gjyqtarëve shqiptarë për një gjykim të standardeve të duhura, i cili të mos sjellë dhunë nëpër stadiume dhe i cili të shërbejë për të shijuar lojën e futbollit dhe jo kontestimet në fushë, thuhet në deklaratë. Sakaq duhet thënë se një kërkesë e tillë duket shumë e vonuar, pasi për të pasur arbitra të huaj i duhej kërkuar FSHF-së që më parë që të kontaktoheshin federata homologe. Te Tirana po përgatiten më së miri për ndeshjen me Skënderbeun. Rreth 15 autobusë deri tani konfirmohen se do nisen nga kryeqyteti ditën e shtunë dhe në shoqërim të tyre nga Elbasani do vihet dhe Policia e Shtetit. Më pas janë kontaktuar drejtuesit në Korçë dhe për tifozët e Tiranës janë lënë vende bosh në anësore dhe mes tyre dhe tifozëve vendës do tu lihet edhe një distancë sigurie që të mos ndodhin incidente, ashtu si në ndeshjen e Superkupës zhvilluar vitin e shkuar.
Interesim i madh për supersfidën
Klubi ka nxjerrë në treg paraditen e së martës biletat për ndeshjen Skënderbeu-Tirana. Interesi duket i madh në fakt. Një biletë në tribunën kryesore të stadiumit të Korçës do kushtojë 10 mijë lekë të vjetër. Ndërsa përballë një biletë kushton tre mijë lekë të vjetër dhe 2 mijë lekë te anësoret. Mësohet se posaçërisht nga Selaniku pritet të mbërrijnë afro 100 shqiptarë, tifozë të Skënderbeut, të cilët njëherësh do të festojnë edhe Pashkët në Korçë. Por mjaft interes, siç bëjnë të ditura burimet nga klubi, ka edhe nga korçarët që jetojnë në Tiranë. Ata do të udhëtojnë enkas drejt juglindjes për këtë ngjarje sportive me shpresën e marrjes së tri pikëve.