E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet marrëveshja për varrezat greke

Në Shqipëri do të ketë varreza të ushtarëve grekë në periudhën 1940-1941. Parlamenti miratoi marrëveshjen për varrezat greke me 66 vota pro dhe pesë kundër. Përvec deputetëve Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, të Partisë për Drejtësi dhe Unitet, votuan kundër dhe dy deputetët demokratë, Ardian Kollozi dhe Bedri Hoxha, së bashku me deputetin e LSI-së, Lefter Koka.

Në fjalën e tij Shpëtim Idrizi kërkoi shtyrjen e votimit deri kur komuniteti cam të fitoi të drejtat e tij. Idrizi tha se votimi ishte një dhuratë për Greqinë në festën e saj të pavarësisë.

"Marrëveshja "Mbi Kërkimin, C’varrimin, Identifikimin dhe Varrimin e Ushtarëve Grekë të rënë në Shqipëri gjatë Luftës Italo-Greke të vitit 1940-1941", që ne po diskutojmë sot, vjen për t'u miratuar në një kohë të veçantë. Nuk e kam fjalën se ajo papritur e papandehur është zgjedhur të vijë në parlament fiks sot, ditën e çlirimit të Greqisë nga pushtimi otoman, 25 marsin e 1821. Ky akt mendoj, që dëshiron t'i bëjë Greqisë së sotme dhuratë miratimin e një marrëveshje si kjo", deklaroi Idrizi.

Deputeti demokrat Tritan Shehu mbrojti marrëveshjen duke e arsyetuar atë si një shprehje të civilitetit dhe të marrëdhënieve shumë të mira me Greqinë. Në bazë të kësaj marrëveshje të miratuar në Kuvend për rivarrimin e ushtarëve grekë të rënë në periudhën 1940-1941 do të ngrihen dy varreza, njëra në Këlcyrë të Përmetit dhe tjetra në Gjirokastër.

Dorian Kodra Azhornuar së fundi ( e enjte , 25 mars 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›