E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfrytëzoi adoleshenten në Kosovë, prangoset

FIER - Policia e Fierit vë në pranga një 24-vjeçar, i akuzuar se në bashkëpunim me një tjetër person, tashmë në kërkim, ka shfrytëzuar për prostitucion një 17-vjeçare. 

Sipas policisë, Edmond Isufaj akuzohet për “shfrytëzim dhe trafikim të prostitucionit”. Ai së bashku me Agron Aliaj ka shfrytëzuar adoleshenten nga Fieri, P.C. Burime të policisë thanë se, të dy këta persona, duke pasur edhe njohje me familjen e vajzës, e kanë mashtruar atë duke i thënë se do ta punësonin si kameriere në Kosovë. Vajza është nisur për në Kosovë, por atje ajo është shfrytëzuar për qëllime prostitucioni për një periudhë prej 6 muajsh. Më pas, ajo është kthyer në Shqipëri ku dhe ka denoncuar dy djemtë fierakë. Ajo u ka rrëfyer oficerëve të policisë gjithçka i kishte ndodhur, mënyrën e mashtrimit dhe veprimtarinë që kishte ushtruar në Kosovë. Pas denoncimit, policia e Fierit arrestoi Edmond Isufajn, ndërsa shpalli në kërkim bashkëpunëtorin e tij, Aliaj. Sipas policisë, e cila ka bërë dokumentimin e plotë të ngjarjes nga ana ligjore, tashmë do të jetë Prokuroria e këtij rrethi që do të hetojë më tej veprimtarinë e dy fierakëve. Mësohet se Isufaj nuk e ka pranuar akuzën. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›