E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Turisti", prangos katër persona për prostitucion

Operacioni i Policisë së Elbasanit, i koduar me emrin "Turisti", është finalizuar me prangosjen e katër persona nga zona të ndryshme të Rrethit të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare të drejtorisë së policisë së këtij qarku mësohet se dje në mëngjes janë arrestuar Madrit Arapi, 54 vjeç, nga fshati Xibrakë, Qamile Peqini, 20 vjeç, banore në lagjen "Beqir Dardha" të qytetit të Elbasanit, Pranvera Buzo, 36 vjeçe, nga qyteti i Elbasanit si dhe Sanije Veliu, 38 vjeçe, nga qyteti i Gramshit. Ndalimet e tyre janë bërë në hotelin "Turisti", që ndodhet në fshatin Xibrakë rreth 10 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare mësohet se pas një investigimi disamujor rezultoi se 54-vjeçari Arapi në bashkëpunim me 36-vjeçaren Buzo, mbante ambiente për ushtrim prostitucioni në fshatin Xibrakë. Ndërsa Qamile Peqini dhe Sanije Veliun ishin "të punësuara" dhe ofronin marrëdhënien seksuale kundrejt një pagese. Pas përfundimit të aksionit, Arapi dhe Buzo janë ndaluar nën akuzën "shfrytëzim prostitucioni", ndërsa Peqini dhe Veliu nën akuzën "ushtrim prostitucioni". Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar pesë telefona celularë të markave të ndryshme, 1100 euro si dhe 700 lekë të reja. Policia po punon për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›