E Diel, 1 Nëntor 2026

Shifra e çuditshme, rritja ekonomike vlerësohet 16%

 

Fabiola Çela

Një shifër e çuditshme është publikuar dje në Komisionin e Ekonomisë për nivelin e rritjes ekonomike. Sipas përllogaritjeve të kryera nga ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike e Shqipërisë është 16 për qind. Publikimi i një shifre të tillë nga kreu i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, ka ngjallur habinë e deputetëve të Komisionit parlamentar të Ekonomisë. “Fondi Monetar ka në Shqipëri një ekspert që është për INSTAT-in dhe që në bashkëpunim me INSTAT-in bën përllogaritjen e rritjes ekonomike të vendit. Ekspertët e tyre bënë në mënyrë të pavarur rritjen ekonomike dhe e nxori diku te 16%. Ne jemi të gatshëm së bashku me Fondin me ekspertin që kanë, të ulen në detaje të na thonë se sa është rritja ekonomike e Shqipërisë”, ka deklaruar dje ministri në Komisionin e Ekonomisë, gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2009. Ky diskutim u shoqërua me debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës.
Debatet
Për vitin 2009 qeveria ka planifikuar që rritja ekonomike të jetë 6 për qind. Por një rritje e tillë është vënë në dyshim nga deputetët e opozitës. “Rritja juaj ekonomike u vu në dyshim, pasi më parë keni llogaritur rritje 6 për qind, ndërkohë që tani u referua se pritshmëria mund të jetë 3.7 për qind”, u shpreh deputeti socialist i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe. Por e menjëhershme ka qenë përgjigjja e kreut të Ministrisë së Financave. “Rritja ekono-mike nuk është një çështje e ‘Nostradamusit’, rritja ekonomike është çështje e përllogaritjeve ekonomike. Ne themi që rritja ekonomike në Shqipëri për vitin 2009 është më se e garantuar”, reagoi Bode. Por pavarësisht kësaj, deputetët e opozitës janë shprehur me shumë rezerva mbi projektbuxhetin e vitit 2009. “Në pikat themelore ne biem dakord me FMN-në, por biem ndesh me qeverinë. Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm niveli i të ardhurave në raport me GDP-në mbetet po njëlloj me vitin 2008. Gjithashtu ka paqëndrueshmëri të theksuar në bazën e legjislacionit fiskal”, tha Braçe. Madje, në diskutimin e tij ai preku dhe një pikë mjaft të debatuar nga biznesi. Bëhet fjalë pikërisht për pagat e referencës, që qeveria ka vendosur mbi çdo kategori biznesi. “Vendosja e pagave të referencës ka rënduar biznesin vendas, madje dhe vetë zyrtarë të FMN-së kanë deklaruar se nuk e kuptojnë se si mund qeveria të aplikojë paga reference mbi biznesin e vogël”, ka deklaruar deputeti i PS-së, Braçe.
Në qendër të diskutimeve të djeshme ishte edhe realizmi i investimeve. Sipas opozitës, qeveria nuk do të jetë e aftë që në fund të mandatit të saj të ketë përfunduar së ndërtuari të gjithë ato projekte rrugore që pati premtuar gjatë fushatës elektorale të 2005-ës. “Pjesa më e madhe e fondit për investimeve do të shkojë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Për ne shqetësimi më i madh është fakti se po vidhen paratë e kësaj rruge”, tha Braçe. Por një gjë e tillë është kundërshtuar nga ministri i Financave, Bode. “Investimet publike janë prioriteti i qeverisë dhe vetëm opozita shqiptare mund ta thotë që investimet publike në një buxhet ku zë një të tretën e buxhetit, në një buxhet ku kalon nivelin e 4% që ishin në vitin 2004 në 8% nuk qenkan prioritet”, theksoi ai.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›