E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Paratë e privatizimeve, 20 për qind për ish të përndjekurit

 

Ish-të përndjekurit politikë ende nuk kanë marrë asnjë lek nga qeveria si dëmshpërblim për vitet që kanë kaluar në burg nga regjimi komunist. Por edhe pse fondi prej 2 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit ekziston, shpërndarja e tij nuk ka nisur ende. Kjo për shkak se lista me emra e shoqatës së ish-të përndjekurve politikë nuk përputhen me atë të Ministrisë së Drejtësisë. Në një situatë të tillë, deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, ka hedhur idenë e zgjidhjes së këtij problemi. Ai i ka kërkuar dje ministrit Bode që të shikojë mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi në këtë mënyrë, që 40 për qind e parave të marra nga privatizimet të shkojnë për uljen e deficit buxhetor, 40 për qind për investime dhe 20 për qind për të përndjekurit politikë. Por ministri Bode është shprehur se parimisht është dakord me këtë ide, por sipas tij një alternativë e tillë nuk do të pranohej kurrsesi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Madje, sipas Bodes, mundësia më e mirë do të ishte që nga fondi prej 2 miliardë lekësh, gjysma e tyre të përdorej për investime, në mënyrë që në fund të vitit ky fond të mos digjej. Dhe nga shuma e parave të privatizimit që do të arkëtohen në 2009-ën, 10 për qind e tyre të shkojnë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Por edhe pse kjo alternativë e ministrit duket e zbatueshme, përsëri ai u shpreh dyshues në marrjen e aprovimit të fondit për këtë pikë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›