Shifrat e INSTAT: Rritja ekonomike në vitin 2008 arriti në 8 për qind
Shqipëria ka thyer të gjitha rekordet e rritjes ekonomike në një vit krize globale. Edhe pse shumica e vendeve të zhvilluara kërkuan ndihmë nga FMN-ja për të përballuar krizën, sipas INSTAT, GDP-ja shqiptare u rrit me 8 për qind. Kjo është edhe shifra zyrtare për prodhimin shqiptar gjatë vitit 2008 krahasuar me vitin 2007. E ndarë me tremujorë, duket qartë se kriza gjatë periudhës tetor-dhjetor ka dhënë ndikim të ndjeshëm në uljen e ritmit. INSTAT ka llogaritur se rritja gjatë këtij tremujori të ishte vetëm 2.5 për qind më i madhe se ai paraardhës, por rreth 8.5 për qind më e madhe se ajo e vitit të kaluar, pra 2007. Rënia në industri kompensohet këtë tremujor me rritje në degët e tjera të ekonomisë, kryesisht post-telekomunikacioni, ndërtimi dhe shërbimet, të cilat japin një rezultante pozitive. Sipas shifrave, krahasuar me një tremujor më parë industria ka pësuar 2.2 për qind rënie, por rritje të konsiderueshme janë shënuar në degën e post-telekomunikacionit me 9.5 për qind, shërbimet (ndaj popullatës dhe ndërmarrjeve) me 4.5% dhe ndërtimi me 3.3 për qind. Ndërkohë që, krahasuar me tremujorin paraardhës, rritje është shënuar edhe në degët e tjera të ekonomisë, si bujqësia, gjuetia dhe pyjet me 1.7 për qind, tregtia me 1.2 për qind dhe transporti 1.7 për qind. “Rritja ekonomike e tremujorit të katërt (2008) krahasuar me të njëjtin tremujor për vitin 2007 është me 8.6 për qind, ku përsëri efektin më të madh e kanë degët e post-telekomunikacionit 39.1 për qind, shërbimet 14 për qind dhe ndërtimi me 9.3 për qind. Rritja vjetore 2008 bazuar në të dhënat tremujore është 8.0 për qind krahasuar me vitin 2007”. Sipas INSTAT, ky tregues përbën shifrën preliminare për llogaritjen e GDP-së vjetore, shifër kjo dinamike në vetvete, e cila i nënshtrohet politikave të revizionimit. Kjo do të thotë se pas disa kohësh, kur shifrat të jenë filtruar sërish dhe certifikuar, atëherë rritja ekonomike mund të rillogaritet. Shifra e re do të jetë më e besueshme, por koha e nxjerrjes së saj do të lejë shumë pak vend për debate.