E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç dy padi për Prokurorinë

 

Armand Bajrami

Damir Fazlliç, biznesmeni boshnjak që hetohet për “pastrim parash” padit Prok-urorinë në Gjykatën e Tiranës për zgjatjen e afateve të hetimeve ndaj tij. Dy ditë më parë në sekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë është regjistruar kërkesë-padia me të cilën biznesmeni kundërshton zgjatjen e afatit të hetimeve për “pastrim parash”. Kërkesë padia e Fazlliç ka ardhur pak ditë pasi Prokuroria e Tiranës shtyu më 6 prill 2009, edhe për një muaj afatin e mbylljes së hetimeve ndaj 33-vjeçarit nga Bosnja. Shtyrja e hetimeve nga prokuroria u vendos me pretendimin se ende nuk janë kthyer përgjigjet për letërporositë nga 5 vende të Evropës, së cilave Prokuroria shqiptare u ka kërkuar informacion me qëllim hetimin e aktivitetit financiar dhe transfertave të biznesmenit Fazlliç. Kërkesë-padia e biznesmenit është regjistruar në Gjykatën e Tiranës më 15 prill 2009. Burimet zyrtare thanë se në rolin e paditësit është Damir Fazlliç, i cili kërkon anulimin e vendimit të prokurorisë për zgjatje hetimi. Objekti i kërkesë-padisë në fjalë është “ankim për zgjatjen e hetimeve”. Shorti elektronik ka përzgjedhur gjyqtarin Gjin Gjoni, për shqyrtimin e kërkesës së bërë nga Fazlliç kundër Prokurorisë.
NGJASHMERIA
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet ndaj Damir Fazlliç në tetor të vitit 2008. Pasi kaloi afati 3 mujor (aq sa mund të zgjasin hetimet për veprën e llojit për të cilën Fazlliç akuzohet) prokuroria kërkoi edhe 3 muaj shtyrje. Por edhe pasi ky afat mbaroi, organi i akuzës kërkoi shtyrje përsëri, për shkak se ende nuk disponon përgjigjet e letërporosive të dërguara në Zvicër, Qipro, Kroaci, Angli dhe Bosnjë. I kontaktuar nga “Panorama”, njëri prej mbrojtësve ligjorë të biznesmenit, tha se ka qenë kjo arsyeja e ankimit në Gjykatën e Tiranës. Sipas mbrojtësit, padia është bërë meqë dosja po mbahet dhe me të nuk po bëhet asnjë veprim.
LETERPOROSITE
Përmes Ministrisë së Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës nisi në fillim të hetimeve letër-porositë për të zbardhur transferta të mundshme parash nga Fazlliç në këto vende, apo të dhëna që do të ndihmonin hetimet. Përkatësisht letërporositë do të zbardhnin; në Qipro, verifikimin e shitjes së “Crown Acquistion”; në Zvicër, transferimin e parave të shitjes së kësaj kompanie; në Angli, të gjitha transfertat bankare të kryera nga Fazlliç dhe kompanitë e tij; në Bosnjë dhe Kroaci, verifikimin e ekzistencës së disa kompanive që kanë kryer shitje në “Crown Acquistion”.

Kundërshtimi i veprimit të akuzës

Kërkesë-padia e Fazlliçit, e dy ditëve më parë, është pasuar dje me një tjetër në Gjykatën e Tiranës. Në këtë kërkesë-padi të dytë, serbo-boshnjaku kërkon kundërshtim të veprimit të Prokurorisë, kërkesë kjo që do të shqyrtohet nga gjyqtari Gerd Hoxha. Mësohet se kjo kërkesë kundërshton, përsëritjen e letërporosive nga ana e Prokurorisë në disa prej vendeve ku ato ishin dërguar më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›