E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shija e “Birra Korça”, dyfishohen pikat e tregtimit

KORÇE - Edhe më e gëzueshme dhe më e bukur ka vazhduar festa e “Birra Korça” natën e dytë në qytetin e saj të vendlindjes. 

 Këtë e kanë pohuar jo vetëm organizatorët, por dhe mijëra pjesëmarrës, që duke pasur kënaqësinë e natës së parë, kishin ardhur sërish për të jetuar me mrekullinë që iu rezervoi Festa e Birrës mbrëmjen e 14 gushtit. Sipas organizatorëve, natën e parë pjesëmarrja në festë arriti në mbi 30.000 persona, por mbrëmë kjo shifër u rrit edhe me rreth 10.000 të tjerë. Kjo për faktin se fjala për kënaqësinë që iu ofroi festa u përhap gojë më gojë dhe nxiti dëshirën për të lënë gjithçka e për të shkuar në këtë festë. Por edhe përgatitjet për natën e dytë të festës, siç ka bërë të ditur nënkryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, ishin më të mëdha. “Duke pasur parasysh që para pikave të tregtimit të birrës një natë më parë kishte radhë të gjata të blerësve, dje u morën masa që të dyfishoheshin pikat e shitjes jo vetëm të birrës, por edhe të mezeve të zgjedhura që ofronin firmat e prodhimit të sallamit ‘Fix’ dhe ‘Tona’”, u shpreh ai. E megjithatë radha nuk u shmang për faktin se edhe pjesëmarrja ishte rritur ndjeshëm. Mijëra vetë mbushën sheshin para Pallatit të Sportit “Tamara Nikolla”, por edhe të lulishtes në të dy krahët e tij e deri një pjesë të Parkut “Rinia”. Eshtë për t’u shënuar fakti se mbrëmë, banorëve të qytetit iu shtuan në mënyrë masive dhe ata të zonave përreth. Këtë e dëshmonte parkimi i qindra mjeteve të udhëtimit në bulevardin rreth e rrotull stadiumit “Skënderbeu” dhe të gjithë me dëshirën e mirë të shijonin “Birra Korça” në ditën e festës së saj. Në një tavolinë të mbushur plot me gota birre të pira takuam një grup pijetarësh që kishin ardhur nga fshati Pirg. Mitat Molla, duke shprehur hapur kënaqësinë që i krijonte birra e ftohtë, u shpreh se “edhe në fshat e pimë ‘Birra Korçën’, por sonte erdhëm ta shijojmë këtu”. Mua më pëlqen, sepse pi sa të dua dhe nuk më krijon asnjë shqetësim në organizëm. E ndjej që ka pak alkool, më shijon ajo era e mirë e elbit dhe më kujton shijen e birrës që pija kur isha i vogël. Pastaj këtu me meze të shijshme dhe me këtë koncert të bukur artistik gjithçka bëhet edhe më e gëzueshme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›