Shijak, sherri për pronën, vret kushëririn me çifte

Policia në vendin e ngjarjes
Vret djalin e xhaxhait pas një konflikti për një pjesë toke.Burimet e Policisë së Durrës thanë se ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në fshatin Koxhas në Shijak, në vendin ku të dy kushërinjtë, Pëllumb dhe Tahir Guza, kishin shkuar për të kositur jonxhën. Nga policia mësohet se fillimisht sherri ka nisur me debate mes tyre, ndërsa situata ka degraduar deri në konfrontim fizik. Në konflikt e sipër, njëri prej kushërinjve, përkatësisht Pëllumb Guza, ka shkuar në banesën e tij, e cila ndodhej vetëm pak metra larg, ku ka marrë armën e zjarrit të llojit çifte. Më pas është drejtuar drejt tokës ku dhe qëndronte 50-vjeçari Tahir Guza, duke qëlluar mbi të. Goditja ka qenë fatale, duke e lënë të vdekur në vend. Pas kryerjes së krimit, Pëllumb Guza është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të marrë informacionin, forca të shumta të policisë së Shijakut e të Durrësit kanë mbërritur në vendngjarje duke nisur hetimet paraprake. Policia ka shoqëruar në komisariat disa prej dëshmitarëve të vendit të ngjarjes dhe në sajë të hetimeve të kryera është arritur identifikimi i autorit të vrasjes. Inspektorë të hetimit të krimit kanë konstatuar se viktima është qëlluar me armë zjarri tip çifte. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe dy gëzhoja, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Arrestimi i autorit është bërë vetëm një orë pas kryerjes së krimit, përkatësisht në orën 18:45, në dalje të Plepave në Durrës, ndërsa tentonte të largohej. Policia konfirmon se autori nuk ka bërë rezistencë, duke dorëzuar dhe armën e gjahut, të cilën e mbante me leje. Menjëherë pas shoqërimit për në Komisariatin e Policisë së Durrësit, autori i ngjarjes së rëndë, Pëllumb Guza, ka dhënë dhe dëshminë e tij përpara hetuesve të çështjes. I penduar për atë që bëri, Guza ka pohuar se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër, pas një konflikti që ai ka pasur fillimit me kushëririn e tij dhe që dje ishte acaruar deri në përplasje fizike e më pas me nxjerrjen e armës. I shokuar më pas nga ajo që bëra, e vetmja gjë që më shkonte ndër mend isha të largohesha, deri në kohën që dhe policia më arrestoi, tha para grupit hetimor Pëllumb Guza.
Krimet në Shijak
Një javë më parë, një ngjarje e rëndë tronditi Shijakun. Dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë pasi u qëlluan nga 25-vjeçari Emiliano Tema. Ky i fundit u zuri pritë, duke menduar se në makinën që qëlloi po udhëtonin disa persona me të cilët ai ishte konfliktuar.
SHIJAK/ LEONIDHA MUSAJ