“Gjyqësori duhet të fitojë besueshmërinë, reformim i plotë”

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi u shpreh dje se është domosdoshmëri që sistemi gjyqësor në vend të fitojë besimin e publikut, në mënyrë që “marrëdhënia gjyqësor-publik të mos i ngjajë më një martese në krizë”.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e zhvilluar me kryetarët e gjykatave, ministri Halimi deklaroi se transparenca dhe dixhitalizimi i sistemit gjyqësor janë imediate për fitimin e besimit. “Gjyqësori sot ka nevoje urgjente të fitojë besueshmërinë e publikut. Për këtë duhet të ndërmerren reforma të plota. Reformat kanë nevojë për njerëz dhe që të realizohen mirë, njerëzit duhet të dinë t’i udhëheqin ato”, u shpreh Halimi.
Ai theksoi se në drejtësi është bërë jo pak gjatë këtyre viteve. “Kemi lënë pas një pasqyrë aspak të mirë të politizimit të gjyqësorit dhe lidershipit të tij. Kemi vendosur para 4 vitesh që hyrjet në gjyqësor të jenë vetëm nga shkolla e magjistraturës, dhe jemi përpjekur të mbajmë larg identifikimit politik çdo propozim për promovim në radhët e sistemit gjyqësor duke kërkuar promovimin mbi bazën e meritës dhe vlerave”, tha ministri i Drejtësisë.
Halimi vuri në dukje se lidershipi në gjyqësor për vite me radhë ka qenë një proces kaotik, teksa kryetar gjykatash vendoseshin, ministra, zëvendësministra, deputetë, kryetar grupesh parlamentare etj. “Kemi lënë pas një periudhe aspak pozitive të lidershipi në gjyqësor, ku kryetar gjykatash vendoseshin, ministra, zëvendësministra, deputetë, kryetar grupesh parlamentare. Dhe kjo fillonte nga gjykata e shkallës së parë e deri në gjykatën e lartë e kushtetuese. Nuk kanë qënë larg këto ditë, por vetëm deri para 6-7 vitesh. Nuk duhen harruar sepse fati i reformave dhe ecuria e tyre, janë padyshim mundi dhe djersa e secilit prej jush”, deklaroi Halimi.
Sipas ministrit Halimi, “Monitorimi i publikut ndaj drejtësisë është padyshim elementi kyç për ndryshimin e besimit. Transparenca dhe dixhitalizimi, sot janë me imediate se kurrë, për të përmirësuar sistemin. Publiku kërkon llogari duke pritur, përsëri e theksoj me të drejtë transparence më të lartë në ushtrimin e veprimtarisë së gjykatave”.
Halimi theksoi se Ministria e Drejtësisë, përkrah të gjitha sugjerimet e partnerëve për kufizimin e imunitetit për çdo zyrtar dhe gjyqtar të këtij vendi, dhe se beson e shpreson shpresoj se të njëjtin qëndrim të ketë dhe opozita. “Padyshim që kjo masë do të rrisë luftën ndaj korrupsionit dhe përgjegjshmërisë, tha Halimi. Transparenca nëpërmjet dixhitalizmit të sistemit, sistemit audiorekording dhe padyshim edhe atij video, do të sjellë dhe ajo padyshim rritjen e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve gjatë një procesi, përmirësimin e etikës, rregullave të sjelljes me palët dhe sigurisht edhe uljen e korrupsionit dhe rritjen e besimit të qytetarëve”, theksoi ministri Halimi.
Ai theksoi gjithashtu reformat po ecin falë asistencës së BE, përmes misionit EURALIUS. “Së bashku me partnerët po ecim drejt reformave dhe përmirësimit të transparencës. Së bashku me BE dhe misionin Euralius po punojmë për vendosjen e moduleve të reja në sistemin e menaxhimit të çështjeve në gjykata për të realizuar procedura transparente, por edhe inspektime on-line. Së bashku me USAID ka nisur të aplikohet reforma e dixhitalizimit të sistemit gjyqësor”, deklaroi më tej ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.