E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirat, Shqipëria nën ujë

23/02/2010 Ministria e Bujqësisë bën bilancin. Gjysma e Shqipërisë nën ujë, problem digat e rezervuarve

Përmirësohet situata në liqenet e hidrocentraleve. Prodhimi i energjisë me kapacitet maksimal

Reshjet e ditëve të fundit që kanë përshirë Shqipërinë ka shkaktuar probleme të shumta në të gjithë vendin, duke filluar që nga përmbytja e tokave bujqësore dhe deri tek cenimi i sigurisë së digave në rezervuare. Nga ana tjetër situata në liqenet e hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin po shkon drejt përmirësimit, pasi në Koman dhe në Vaun e Dejës niveli i ujit ka shënuar rënie në raport me një ditë më parë, ndërkohë që po vazhdon shkarkimi dhe prodhimi i energjisë me kapacitet maksimal.

Përmbytja

Në një deklaratë të bërë dje, Ministria e Bujqësisë njofton se pas monitorimit që ka bërë në lidhje me zonat më problematike, problemet më të mëdha janë vërejtur në Lezhë, Mat, Korçë, Shkodër dhe Fier. Duke u bazuar në të dhënat e ditëve të fundit, reshjet kanë qenë në nivelet të larta, 156 milimetër në Shkodër, 94 në Lezhë dhe 103 në Korçë. Gjithashtu, sërish është vërejtur fenomeni i shkrirjes masive të dëborës gjatë javës së kaluar, nga ngritja e temperaturave deri në 23 gradë celsius. Sipas ministrisë, në Mat si pasojë e prurjeve të mëdha në basenet ujëmbledhëse të disa rezervuarëve kanë bërë që të ngrihen shumë shpejt nivelet e ujërave në rezervuarë, madje në disa prej tyre janë krijuar situata që cenojnë sigurinë e digave. Përveç reshjeve të shumta të shiut edhe kushtet meteorologjike në det e kanë rënduar situatën. Sipas burimeve nga Kapitaneria Detare, që nga e premtja e javës së shkuar, kushtet e motit në det kanë qenë të tilla që e kanë penguar derdhjen në det të lumenjve në zonën e Shkodrës dhe Lezhës.

Hidrocentralet

Aktualisht në hidrocentralin e Komanit, niveli i ujit ka shënuar rënie në raport me një ditë më parë, pra ka arritur në 171.29 metër nga 172,32 që ishte dje. Ndërkohë mësohet se aktualisht po shkarkohen rreth 400 m3 ujë çka do të thotë se situata është nën kontroll të plotë. Në hidrocentralin tjetër ku po vazhdojnë shkarkimet, Vaun e Dejës, niveli i ujit është 74.6 metër nga 75,14 metër që ishte dje pasdite. Ndërsa situata duket paksa më e komplikuar për sa i përket hidrocentralit të Fierzës, pasi niveli i ujit ka shënuar rritje në raport me dje, duke kapur nivelin e 291.7 metër. Megjithatë, gjatë ditës së djeshme prurjet e ujit janë ulur ndjeshëm, duke arritur në 740 m3 ujë. Nga ana tjetër KESH-i po vazhdon prodhimin e energjisë me kapacitet maksimal, ndërkohë që po eksportohen rreth 10 milionë kwh energji elektrike.

Digat

Gjatë 10 ditëshit të fundit janë evidentuar probleme të shumta në disa zona të vendit në digat e rezervuarëve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në liqenin e Kurjanit në Fier, Paskuqan në Tiranë, Ballaban dhe Kajcë në Përmet, Prishtë në Skrapar, Memaj në Durrës janë vërejtur probleme me sigurinë e digave. Probleme janë evidentuar edhe nga rritja e nivelit të lumit Devoll (në zonën e Kuçovës) duke gërryer toka bujqësore dhe rrezikuar stacionin e ujit të pijshëm të fshatit Kozarë, pranë digës së Vlashukut. Gjithashtu, në lumin Drin në Shkodër, në zonën e Ashtës, fshati Lukaj, është dëmtuar një segment i tokës bujqësore dhe rrezikohen edhe 8 shtëpi banimi. Aktualisht, situata po ndiqet 24 orë në 24 dhe gjithë bordet e kullimit dhe baza teknike e tyre është në gatishmëri.

Hidrocentralet

Reshjet e këtyre ditëve të fundit kanë ndërlikuar sërish situatën e liqeneve në hidrocentralet e ndërtuara në kaskadën e lumit Drin. Prej ditës së diel, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka vendosur të hapë portat e shkarkimit të hidrocentraleve të Komanit dhe të Vaut të Dejës, ndërkohë që nuk ka ende asnjë vendim për hapjen e portave të Fierzës, i cili është edhe HEC-i më i madh në vend. Ditën e djeshme, situata duket më e stabilizuar, pasi prurjet e ujërave kanë rënë ndjeshëm në raport me dy ditë më parë, por parashikimi i motit ka bërë që drejtuesit e KESH-it dhe të Ministrisë së Ekonomisë të kenë vëmendjen maksimale për mbarëvajtjen e situatës.

Shkodër

Për shkak të reshjeve të mëdha dhe nga rritja e shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, niveli i lumit Buna ka arritur në kuotën rreth 6.12 metër në Dajç. Ka filluar shkarkimi i Bunës edhe nga kanali i Shirgjit, i cili shkarkon në Vilun. Situata aktuale vlerësohet kritike, sepse nëse niveli në Shirgj do të arrijë në kuotën 6.4 metër atëherë fillon dhe përmbytja e tokave në fshatin Dajç. Po monitorohen argjinaturat e lumit Buna, duke marrë masa për ndërhyrje eventuale në segmentet e rrezikuar. Argjinatura e Çasit paraqitet në gjendje të mirë pas përfundimit të riparimit të saj për shkak të dëmtimeve gjatë përmbytjeve të muajit janar. Nuk ka ngritje të nivelit të ujit në 1500 ha të fushës së Çasit, ndërsa largimi i ujit po bëhet nëpërmjet funksionimit të hidrovorit të Çasit.

Lezhë

Në datën 21 shkurt, prurjet e lumit Mat pësuan një rritje të madhe si rezultat i shkarkimeve të hidrocentralit të Shkopetit dhe prurjeve të tjera anësore. Vështirësia e shkarkimit të ujërave të lumit Mat në grykëderdhjen e tij si rezultat edhe i baticës dhe dallgëzimit të lartë, bëri që të rritet shumë shpejt niveli i ujit në kënetën e Taljes, duke u përsëritur në këtë mënyrë i njëjti fenomen si në përmbytjen në fillim të janarit 2010. Ngritja e nivelit të ujit rrezikoi prishjen e argjinaturave në hidrovorin e Taljes, por ndërhyrjet urgjente të bëra gjatë natës së mbrëmshme nga Bordi i Kullimit të Lezhës deri tani e kanë shmangur këtë rrezik, megjithëse vlerësohet ende si situatë problematike. Situata po mbikëqyret në vazhdimësi dhe në mëngjesin e djeshëm janë konstatuar rënie të nivelit të ujit.

Mat

Prurjet e mëdha në basenet ujëmbledhës të disa rezervuarëve kanë bërë që të ngrihen shumë shpejt nivelet e ujërave në rezervuarë, madje në disa prej tyre janë krijuar situata që cenojnë sigurinë e digave. Veçanërisht nivelet e larta të ujit në rezervuar dhe mosfunksionimi me kapacitet të plotë të shkarkuesve katastrofik dhe ujëlëshuesve, kanë vënë në rrezik digën e rezervuarit Sukbull në komunën Lis dhe Bejn 1 dhe Bejn 2 në komunën Klos. Për të evituar situatat e emergjencës po mbahen në mbikëqyrje të gjitha këto diga në mënyrë që të shmangen përmbytjet. Aktualisht Bordi i Kullimit të këtij rrethi është në gatishmëri, për të shmangur çdo problem që mund të lind gjatë orëve në vazhdim për shkak të reshjeve të mëdha të shiut në këto zona.

Korçë

Nga prurjet e mëdha të lumit Devoll mbi nivelet kritike, në afërsi të fshatit Sheqeras një segment i argjinaturës së këtij lumi është dëmtuar. Vërshimet e ujit kanë shkaktuar përmbytjen e rreth 3 mijë hektarë tokë bujqësore (një pjesë e të cilës është e përmbytur në mënyrë të vazhdueshme si zonë depresive). Ndërhyrjet për riparimin e argjinaturës së dëmtuar do të fillojnë menjëherë sapo të ulet niveli shumë i lartë i lumit. Kjo do të thotë se edhe gjatë këtyre ditëve nëse reshjet do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet, situata nuk do të jetë aspak e favorshme për rënien e nivelit të ujit që ka përmbytur këto zona. Nga ana tjetër edhe rritja e menjëhershme e temperaturave ka bërë që të shkrijë dëbora dhe si rrjedhojë niveli i ujit është ngritur menjëherë në zonat e përmbytura.

Rëndohet sërish situata për shkak të reshjeve të shiut

Zona e Shkodrës, uji arrin në 70 centimetër

Rreth 70 cm është niveli i ujit që ka mbuluar rrugën që të çon në fshatin Obot në zonën e Nënshkodrës në Ana e Malit në Shkodër pas shkarkimit të ujërave nga portat e hapura të hidrocentraleve të Komanit dhe Vaut të Dejës. Sipas të dhënave nga terreni, situata vazhdon të jetë problematike në fshatrat e Bushatit, Obotit, Ashtes, komuna Ana e Malit, si dhe Dagjat, komuna Dajç e Bregut të Bunës, ku rrezikohen të përmbyten rreth 300 ha tokë. Por, më kritikja aktualisht është situata në rrugën që të çon në fshatin Obot. Edhe pse uji nuk ka mbërritur në banesa, rruga e mbuluar nga uji është e mundur të kalohet vetëm nga mjetet e tonazhit të rëndë dhe jo nga automjetet e vogla. Ndërkohë në fshatin Ashtë janë vërejtur gërryerje të tokës si pasojë prurjeve të ujit nga shkarkimet e HEC-eve. Nga gërryerjet rrezikohen rreth 10 banesa, ndërkohë që situata po monitorohet nga Shtabi i Emergjencës. Kështu ky shtab vendosi dje paradite që banorët e këtyre zonave të pajisen me rezervat ushqimore, ndërkohë që shpërndarjet e sasive të para kanë filluar që dje.

Masat

Në kuadër të masave për të shmangur problemet që mund të vijnë nga përmbytjet është vendosur që forcat e ushtrisë të ndihmojnë banorët që kanë makina të vogla ose pa automjet të qarkullojnë për në fshatin Obot nëpërmjet automjeteve të ushtrisë. Ndërkohë edhe situata sinoptike, nuk është aspak e favorshme për zonën e Shkodrës, pasi përveç hapjes së portave të shkrimit të liqeneve në Koman dhe në Vaun e Dejës, po vazhdojnë me intensitet të lartë edhe reshjet e shirave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›