Shirat e fundit shtojne prodhimin e energjise
Përmirësohet ndjeshëm situata në hidrocentralet në vend. Reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë shtuar prurjet në liqene. Aktualisht në liqenin e Fierzës niveli i ujit ka arritur në 294,5 metra ndërkohë që prurjet anësore kanë arritur në 300 metër kub në sekondë. Të dhënat e Korporatës Elektroenergjitike shqiptare bëjnë me dije se edhe në liqenin e Komanit prurjet kanë shtuar nivelin e ujit në 169,39 metra dhe në liqenin e Vaut të dejës në 73,07 metra. Respektivisht prurjet anësore në këto dy liqene janë të larta me 160 dhe 30 metër kub në sekondë, duke bërë që hidrocentralet të prodhojnë energji pa ndërprerje në kapacitete maksimale. Në total konsumi i energjisë në vend aktualisht arrin në 16 – 17 milionë kilovatorë në ditë. Për të mbuluar nevojat në vend Korparata elektro energjitike shqiptare po prodhon rreth 8 milionë kiliovatorë energji ndërkohë që pjesa tjetër sigurohet nga kompania CEZ me anë të importit. Gjatë gjithë pjesës së parë të vitit mungesa e shirave dhe dimri i ftohtë ulën prodhimin dhe shtuan nevojën për konsum të energjisë elektrike duke e detyruar qeverinë ta importonte atë nga jashtë për të plotësuar kërkesën e brendshme. Sipas parashikimeve metereologjike pritet që edhe në ditën në vijim të ketë reshje shiu, gjë që do të mundësojë edhe shtimin e nivelit të ujërave në liqenet dhe HEC-et në vend dhe rrjedhimisht edhe prodhimin e energjisë.