E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirat e parë lënë në terr Fierin

Shirat e djeshëm paralajmëruan tmerrin që do të mbartin gjatë gjithë muajve të ardhshëm qytetarët e Fierit. 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Një blackout total ka përfshirë prej orës 01:00 të së dielës e deri në mbrëmje, pasi reshjet e para dëmtuan rrjetin e amortizuar elektrik.
Qyteti myzeqar është përfshirë nga terri dhe pritet që situata të zgjidhet vetëm me qetësimin e kushteve atmosferike. Banorët janë trembur më shumë pas faktit se orët e errësirës nisën me vetëtima e bubullima, të cilat ishin shoqëruese deri në mëngjes. Në mëngjes, ndonëse pritej rikthimi i energjisë, kjo nuk ka ndodhur, ndërsa shiu vazhdonte të binte. Ky fakt ka bërë që edhe punonjësit e OSSH-së të mos arrijnë të ndërhyjnë dot për riparimin e defekteve. Ato janë cilësuar të mëdha saqë asnjë lagje e qytetit nuk mundej të furnizohej me energji elektrike. Një problem i tillë është gjithmonë i pranishëm në Fier, por nuk është ndërhyrë në asnjë pjesë të sistemit elektrik të qytetit, duke bërë që ditët e para me reshje të shkaktojnë kaos dhe panik. “Ka qenë mesnatë kur ikën dritat dhe përpara kësaj u dëgjua një zhurmë shumë e madhe. U tremba pa masë. Por më e keqja është se më duket se nga shkarkimi i rrufesë më janë djegur dhe pajisjet elektrike”, thotë një banore. Probleme nga mungesa e energjisë nuk kanë pasur vetëm abonentët familjarë, por edhe bizneset. Dëme të mëdha ekonomike kanë shkaktuar kolpot e tensionit në shumicën e bizneseve fierake, të cilave u janë djegur pjesa dërrmuese e pajisjeve elektrike. Më shumë se 60 biznese i janë drejtuar ditën e djeshme zyrave të OSSH-së edhe pse ato kanë qenë të mbyllura. “Më janë djegur gjithë frigoriferët që kisha në dyqan. Kam një thertore në periferi të qytetit dhe rryma elektrike më ka djegur 12 frigoriferë. Më është bërë dëm i madh. Asnjë masë nuk është marrë për këtë gjendje, për të riparuar rrjetin se kjo dihet sa herë që vjen dimri”, u shpreh dje një biznesmen, i cili shton se është abonent i rregullt i KESH-it. Pasojat e dëmtimit të rrjetit elektrik po ndodhin ende pa u sistemuar ato të shkaktuara vitin e shkuar. Nga ana e OSSH-së në Fier deklarohet e njëjta situatë. Kryeinxhinieri në sistemin e shpërndarjes, Andi Hyseni theksoi se, është pothuajse i gjithë rrjeti i rrënuar dhe duhen ndërhyrje me investime që gjithë këto avari të disiplinohen. “Këto pasoja dihen, pasi rrjeti i elektrikut në Fier është i amortizuar dhe kërkon ndërhyrje urgjente për t’u rregulluar. Popullsia e qytetit është në rritje, ndërsa rrjeti aktual nuk përballon dot gjendjen në kohë të thatë e jo në stuhi si kjo e sotmja”, deklaroi ai. Pas kalimit të strukturës së KESH në OSSH u bënë premtime për investime, por kjo nuk ka ndodhur deri sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›