E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirat, përmbyten dhjetëra rrugë në Tiranë

 

Përmbyten dhjetëra shtëpi e disa rrugë në kryeqytet. Për shkak të mungesës së kanalizimeve, ose amortizimit të tyre, ka qenë i pamundur të përballohej intensiteti i lartë i reshjeve gjatë gjithë ditës së djeshme. Në zonat ku ka përmbytje, kalimtarët e kanë të vështirë të kalojnë, pasi shirat kanë mbuluar rrugët. Në periferi të Tiranës, në oborret e shumë shtëpive private, është e pamundur të kalohet dhe banorët kanë gjetur si zgjidhje vendosjen e pompave për heqjen e ujit. Më problematike situata ka qenë në rrugën "Irfan Tomnini". Qindra banorë e kanë pasur të vështirë të dalin nga apartamentet e tyre, për shkak të bllokimit të pusetave të ujërave kullues dhe ujërave të zeza. Hyrjet e pallateve janë mbuluar nga mbi 20 cm ujë dhe fëmijët e të moshuarit nuk kanë mundur dot të lëvizin. Në këtë lagje kjo situatë përsëritet sa herë ka reshje të dendura shiu, por ende autoritetet lokale nuk kanë ndërhyrë për të gjetur zgjidhje. Gjendja bëhet akoma më e vështirë, pasi uji i shiut bashkohet me ujërat e zeza, duke rrezikuar përhapjen e epidemive. Përmbytje të garazheve e bodrumeve ka pasur edhe tek "Komuna e Parisit". Në grupin e pallateve që janë ngritur nën kolektor, uji ka arritur deri në 30 centimetra. Sipas sinoptikanëve, reshjet e shiut do të vazhdojnë deri ditën e enjte, ndërkohë që priten ulje të temperaturave me 2 deri në 3 gradë celsius.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›