Tafaj: Diplomat sipas propozimeve të senateve
"Diplomat e reja të studentëve të universiteteve publike janë hartuar sipas propozimeve të senateve akademike". Me këtë deklaratë Këshilltari i Kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj, hodhi poshtë pretendimet e krerëve universitarë. Sipas tyre, Ministria e Arsimit ka hartuar një model diplome pa marrë parasysh propozimet e universiteteve. "Ministria u ka përcaktuar universiteteve kritere minimale për hartimin e këtij dokumenti, ndërkohë që kanë qenë këto të fundit autonome për përmbajtjen e diplomës", tha Tafaj. Sipas tij, edhe pse çështja e modelit të ri të diplomës është një problem teknik, nuk ka dhënë asnjë koment nëse do të këtë ndryshime ose jo. Ndërkohë studentë nga Fakulteti i Gazetarisë, Ekonomikut e Filologjisë, kanë vijuar sërish protestat, duke kërkuar ndryshimin e disa elementëve në diplomën e hartuar sipas sistemit të Bolonjës. Këshillat studentorë të fakulteteve kanë paralajmëruar dy ditë më parë se do të bojkotojnë mësimin. Kjo, nëse Ministria e Arsimit nuk merr parasysh kërkesën e tyre. Nga ana tjetër, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, në deklaratën e tij sqaroi se ka komunikuar zyrtarisht me Ministrin e Arsimit për problemin në fjalë, dhe shprehet optimist për korrigjimin e diplomës. Ai ritheksoi faktin se, hartimi i modelit të diplomës ka qenë një shkelje flagrante e ligjit.