E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirat, përmbytje në Vlorë, Durrës dhe Fier

Qendrat e qyteteve, të pushtuara nga uji. Kaos në qarkullimin e makinave dhe qytetarëve
Reshjet e dendura të shiut që përfshinë mëngjesin e djeshëm pjesën më të madhe të vendit, krijuan probleme serioze në disa nga qytetet kryesore. Kështu, mëngjesin e djeshëm, disa nga lagjet kryesore të qytetit të Vlorës janë përmbytur për shkak të shirave të dendur. Kështu, rruga për te Skela është bllokuar në akse të ndryshme, si në kryqëzimin te kullat e Aleksandrisë, në hyrje të qytetit. Ndërkohë, rruga që të çon për në Port ka qenë e vështirë për t’u kaluar nga kalimtarët, por edhe nga automjetet. Për rreth 90 minuta qyteti përjetoi një situatë përmbytjesh, ndërkohë që vështirësi ka pasur dhe në bulevardin kryesor dhe rrugët dytësore. Për pasojë u krijua kaos në trafikun e makinave si dhe në lëvizjen e këmbësorëve. Ndërkohë, problematike kanë qenë edhe lagjet “24 Maj”, “10 Korriku” dhe “29 Nëntori”. Pas situatës së krijuar, ndërmarrja komunale ka vënë në dispozicion mjetet e saj, si dhe të gjithë punëtorët, të cilët bënë të mundur largimin e ujit, duke pastruar pusetat dhe kanalet ujëmbledhës buzë rrugëve. Sipas Ertel Shehut, drejtor i shërbimeve publike në Bashkinë e Vlorës, shkak për situatën e krijuar janë bërë kanalet e hapura në zonën e Skelës, ku po punohet për shtrimin e tubacioneve të ujit të pijshëm. “Punimet për shtrirjen e tubacionit të ujit të pijshëm kanë bërë që kanalet ujëmbledhës dhe pusetat në këtë zonë të jenë jofunksionale. Ndërkaq, problem mbeten punimet në rrugën Transballkanike dhe bumi i ndërtimeve, që nuk arrin të përballohet nga rrjeti i kanalizimeve që vazhdon të jetë ai i para viteve ‘90”, shprehet Shehu. Ndërkaq, e njëjta situatë ka qenë dhe në Durrës. Mëngjesin e djeshëm shumë nga rrugët e qytetit bregdetar kanë qenë të mbuluara nga uji. Problematike kanë qenë rrugët që të çojnë te Stacioni i Trenit, rruga te Shkolla e Muzikës, në afërsi të universitetit, Shkozetit etj. Banorët dhe automjetet e kanë pasur të pamundur lëvizjen normale, për shkak se niveli i ujit ka arritur deri në 10 centimetra. Për pasojë, trafiku ka qenë kaotik dhe banorët ankohen se situata përsëritet sa herë bie shi. Mësohet se shkak i kësaj situate është bërë sistemi i kanalizimeve, tejet i amortizuar. Reshjet e shiut kanë krijuar probleme dhe në qytetin e Fierit. Pas shirave të rrëmbyeshëm, pothuaj të gjitha rrugët e qytetit kanë qenë të përmbytura. Probleme ka pasur në rrugët kryesore, por edhe ato dytësore dhe të brendshme të lagjeve të qytetit. Për afro 2 orë qyteti i Fierit ka qenë pothuajse i paralizuar. Ndërkaq, mësohet se akset kombëtare që përshkojnë Qarkun e Fierit kanë pasur probleme me qarkullimin, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Kështu, fillimi i autostradës Fier-Lushnjë, në vendin e quajtur Mbrostar, edhe paraditen e së shtunës ka qenë i bllokuar dhe makinat kanë qarkulluar nga rruga e vjetër. Ndërkohë, rruga Fier-Ballsh, deri në dalje të qytezës së Patosit, ka qenë pothuaj “e pushtuar” nga uji. Kanalet dhe kolektorët e dikurshëm anës rrugës nuk kanë mundur të mbledhin ujin, e për pasojë qarkullimi i automjeteve ka qenë i vështirë. Vetëm pas përmirësimit të kushteve të motit, ka ardhur dhe normalizimi i situatës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›