E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshati Obot, i ngrirë deri në pritje të dëmshpërblimeve

Shkodër/ Banorët shpresojnë për përshpejtim të shpërndarjes së lekëve. Zona më e dëmtuar nga përmbytjet, sytë nga qeveria

Kur ka kaluar një muaj nga përmbytjet që përfshinë zonën e Nënshkodrës, banorët i kanë drejtuar sytë nga qeveria, duke pritur dëmshpërblimet e premtuara. Tashmë që procesi i verifikimit të dëmeve është drejt fundit, madje në disa fshatra ka përfunduar, banorët kërkojnë nga shteti përshpejtimin e dhënies së lekëve. Një nga zonat më të dëmtuara, aty ku nisi dhe përfundoi përmbytja nga shkarkimi i ujit të hidrocentraleve, është fshati Obot. Pasi lë urën e Bunës, në të majtë të saj ndodhet rruga që të çon për në fshatin Obot, i cili shtrihet buzë lumit Bunë. Pamja duket ndryshe nga ajo që syri të rrokte dy javë më parë, kur gjithçka ishte ende e mbuluar me ujë dhe e kishe të vështirë të dalloje çatitë e shtëpive. Pas zmbrapsjes së ujit, gjithçka të ngjason me një fushë beteje pas lufte. Të mbjella të shkatërruara, sera të dëmtuara, toka të ndotura nga mbeturinat që ka sjellë rrjedha e lumit. Fushat ngjyrë jeshile tashmë kanë marrë një ngjyrë kafe të lehtë dhe gjithçka duket e zbrazët. Kjo panoramë e zymtë ka “pushtuar” të gjithë zonën e Nënshkodrës, që është prekur nga përmbytja. Në të hyrë të fshatit Obot, banorët i gjen të grupuar dhe e vetmja temë bisede janë përmbytjet, dëmet dhe afatet për marrjen e lekëve. Një nga banorët e zonës, Lush Marku, pasi merr vesh se jemi gazetarë, fjala e parë që na drejton pa na përshëndetur është: “A e dini se kur do na japin lekët”? Nga këtu kupton se halli që ka Marku është halli i gjithë fshatit, i cili dhe pse ka dy javë që nuk është në ujë, ende flet për ujin. Më pas, Lush Marku na tregon se si është jeta e banorëve të fshatit pas fatkeqësisë natyrore që pësuan. “Nuk jemi as në tokë, as në ajër. Nuk punojmë dot tokën, nuk rregullojmë dot shtëpitë. E gjithë toka që kam pasur të mbjellë me koncentrat për bagëtinë më ka ngelur e mbuluar nga llumi që ka sjellë përmbytja. Shtëpia më është dëmtuar rëndë, muret janë plasaritur, pajisjet elektroshtëpiake janë prishur. Bagëtitë i ushqej me ushqim koncentrati që na jep si ndihmë komuna. Ne kemi mbetur si të ngrirë, nuk marrim dot asnjë hap veprimi. Kur erdhi uji, na thanë të ikim, më pas na thanë mos luani asgjë të dëmtuar se do ta verifikojnë, më pas i verifikuan dhe tashmë nuk ka ngelur asgjë. I dëgjuam, tani duam të marrim lekët që na takojnë dhe të fillojmë jetën nga e para. Shpresoj që të mos na vonojnë, pasi siç e shikoni, këtu asgjë nuk funksionon. Njerëzit duan lekët, të nisin të rregullojnë gjithçka nga e para. Në fshatin Obot ka një muaj që jeta është e paralizuar dhe pa dhënë paratë, kështu do të vazhdojë të mbetet”, rrëfen Marku. Ndërkohë, në fshat ka nga ata që kanë pakënaqësi, për sa i përket mënyrës se si janë verifikuar dëmet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›