E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësi i Prevallës, kërkimet shtrihen në Maqedoni

Librazhd

Zgjerohet harta gjeografike e kërkimeve për autorin e masakrës së dyfishtë në fshatin Prevallë të Librazhdit. Burime nga policia bëjnë me dije se kërkimet tashmë janë shtrirë në zonat kufitare me Maqedoninë, ku supozohet se mund të jetë fshehur Haki Miska, i cili masakroi mbrëmjen e së enjtes nënën dhe vajzën e tij.
“Jemi duke bashkëpunuar edhe me kolegët tanë maqedonas, pasi kufiri nuk është më tepër se dy orë nga fshati i vrasësit. Ndaj po e shohim si mundësi fshehjen e tij në tokën maqedonase”, ka pohuar për “Shqip” kreu i Drejtorisë së Policisë për Qarkun e Elbasanit, njëkohësisht edhe kryesues i operacionit të kërkimit, Sajmir Muça. Sipas këtij të fundit, disa skuadra policësh janë shpërndarë në zonën e çermenikës e Shmillit të Elbasanit, fshatrave Stëblevë, Kostenjë e Koshorisht të Librazhdit, madje edhe në Rrethin e Bulqizës. Operacioni treditor për gjetjen dhe kapjen e 55-vjeçarit Haki Miska ende nuk ka dhënë rezultat, pavarësisht nga pohimi i kryekomisar Muçës, se ishte lokalizuar vendndodhja e tij, por pa dhënë hollësi se në cilën zonë shpresohej të gjendej. Mbrëmjen e së enjtes, Miska qëlloi me sëpatë në rrethana ende të paqarta nënën e tij, Dijen 75-vjeçare, e cila gjeti vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë, 55-vjeçari Miska plagosi vajzën e tij, Besianën, 18 vjeçe. Kjo e fundit ka marrë një plagë në gjoks, por pas shtrimit në spitalin e Librazhdit, tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë mësohet se dhoma e spitalit ku është e shtruar vajza, ruhet me një skuadër policësh, të cilët nuk kanë lejuar asnjë kontakt me gazetarët. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se Prokuroria e Elbasanit ka nisur çështjen penale në mungesë, nën akuzën e dyfishtë të “Vrasje në gjaknxehtësi” dhe “Tentativë për vrasje”. Ndërkaq pritet që me gjetjen dhe arrestimin e 55-vjeçarit Miska të rihapen disa ngjarje të vjetra të pazbardhura. Njëra prej tyre është vdekja e bashkëshortes së Haxhi Miskës, Mimozës, e cila 15 vjet më parë është gjetur e vrarë në përroin e fshatit. Pas vdekjes së saj, dy të afërm të Mimozës u gjetën të vrarë, por për të dyja rastet nuk u gjet autori apo autorët e ngjarjes. Dyshohet se 55-vjeçari mund të jetë i implikuar në të dyja rastet.Ndërkohë mësohet se dy djemtë e vrasësit, lajmin e kobshëm për vdekjen e gjyshes dhe plagosjen e së motrës, e kanë marrë në telefon nga të afërm të familjes. Dy djemtë e Miskës jetojnë si emigrantë në Greqi që prej disa vitesh. Ata vinin shumë rrallë për vizitë për të takuar gjyshen dhe motrën. Ndërkaq mësohet se ata kanë munguar në ceremoninë mortore të gjyshes së tyre. Por sipas një burimi konfidencial, mësohet se dy djemtë e Haki Miskës janë shprehur në telefon se i bëjnë apel drejtësisë shqiptare që drejtësia t’i japë babait të tyre dënimin e merituar për masakrimin e gjyshes dhe motrës së tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›