E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja nënë e bijë, policia merr tabulatet e celularit

Kavajë/ Lirohet nga burgu Mikel Daullja, do të procedohet në gjendje të lirë

Vazhdojnë hetimet për ngjarjen në të cilën vdiqën nënë e bijë në qytetin e Kavajës. Ngjarja që u mori jetën Irma Daulles, 22 vjeçe, me origjinë nga fshati Qerret dhe vajzës së saj, Valentina Daullja, 2 vjeçe, ende nuk është zbardhur plotësisht. Personi i vetëm i dyshuar është bashkëshorti dhe babai i viktimave, Mikel Daullja, i cili do të deklaronte në polici se gjatë ngjarjes ka qenë në gjumë. Policia e Kavajës, e ndihmuar edhe nga Seksioni i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, ka kryer një sërë veprimesh hetimore, por pa mundur të përcaktojë shkakun e vdekjes. Viktimat u hodhën nga kati i tetë i tarracës së një pallati në Lagjen nr.5 të qytetit dhe sipas të dhënave konfidenciale të Komisariatit të Policisë Kavajë, hetimet për çështjen janë në dy drejtime. “Hetimet nuk janë përqendruar vetëm në pistën e vetëvrasjes, por dhe atë të vrasjes, apo pista të tjera”, thanë burimet nga blutë e Kavajës. Ndërkohë, i pyetur nga policia, bashkëshorti i viktimës, Mikel Daullja, nuk ka pranuar që të ketë pasur ndikim në veprimin e bashkëshortes së tij.
Në cilësinë e dëshmitarëve janë thirrur të afërm të familjes së re dhe fqinjë të viktimave. Ata janë shprehur se çifti nuk ka treguar ndonjëherë probleme në marrëdhënien e tyre. Sipas fqinjëve, ata njiheshin si një çift i qetë dhe që shikonin punën e tyre. “Fqinjët e çiftit kanë dhënë shpjegime në polici. Njëri prej tyre ka deklaruar se ditën e ngjarjes sapo është ngritur dhe ka dëgjuar një zhurmë të madhe. I është dukur sikur ishte rrëzuar vazoja e luleve dhe më pas kishte dëgjuar një ulërimë. Mikel Daullja kishte thirrur me zë të lartë emrin e së bijës, Valentinës, dhe më pas ka shkuar me shpejtësi para pallatit, ku ka parë edhe dy viktimat”, thanë burimet nga policia, sipas të cilave dëshmitari deklaroi se kishte shkuar pranë të ndjerave dhe Irma ishte ende gjallë, por më pas ka mbyllu përgjithmonë sytë.
Sipas policisë, hetimet pritet të kenë zhvillime të reja në ditët në vazhdim. Janë marrë tabulatet telefonike të bashkëshortit, që po i nënshtrohen zbardhjes nga policia. Megjithatë, Mikel Daullja, pas dëshmisë dhe verifikimeve të momentit, është lënë i lirë. çifti, sipas të dhënave, kishte pak kohë që jetonte në shtëpinë e tyre të re. Mikel Daullja, bashkëshorti i viktimës, është me origjinë nga Kuçova dhe punon privatisht në Kavajë. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, dy viktimat janë përcjellë për në banesën e fundit. Ceremonia është zhvilluar rreth orës 10:00 në fshatin Qerret të Kavajës, duke qenë se dhe viktima kishte prejardhjen nga kjo zonë. Megjithëse trupat e viktimave u përcollën në banesën e tyre të fundit, ato morën me vete dhe shkakun e vërtetë të vdekjes së tyre. Ndërkaq, familjarët dhe opinioni publik shpresojnë në zbardhjen e shkaqeve të vërteta të ngjarjes nga policia.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›