E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirat, situata rendohet ne disa qytete

20/12/2008  Janë përmbytur sipërfaqe të mëdha toke bujqësore. Rrezikohen dhe disa shtëpi

Banorët: S’kemi marrë ende veten, ku të shkojmë në rast përmbytjeje

Aurora Damini

FIER- Moti i keq me reshje të shumta ka shkaktuar probleme në disa fshatra të rrethit të Fierit. Situata kritike mori përmasa pasi dhe përgjatë gjithë natës së të enjtes shirat vijuan dhe ujërat përmbytën disa sipërfaqe toke. Për shkak të reshjeve të mëdha të shiut lumi Vjosë doli nga shtrati dhe për pasojë disa shtëpi rrezikuan të përmbyteshin. Gjatë gjithë natës duke gdhirë e premtja prurjet e lumit Vjosë kanë qenë në pikën kritike. Shtabi i Emergjencës ka vendosur panele mbrojtëse, të cilat janë mbuluar nga ujërat. Sipas burimeve të brendshme të prefekturës, edhe pse tashmë niveli i ujërave ka pësuar rënie të gjithë anëtarët e Shtabit të Emergjencës po qëndrojnë në vigjilencë të plotë, pasi shumë toka u përfshinë nga ujërat që vërshuan.

Të prekurit

Më problematike ka qenë situata në fshatrat Cerven, Frakull, Pihsporo dhe shumë fshatra të komunës Levan në rrethin e Fierit. Për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosë janë përmbytur më shumë se 300 ha tokë bujqësore. E vetmja gjë që shpresojnë banorët është mospërsëritja e përmbytjeve të vitit 2005 ku u shkatërruan nga përmbytjet shumë banesa dhe biznese pa përmendur këtu toka bujqësore që u dëmtuan plotësisht. "Jemi në hall të madh. Sa herë që përmbytet apo që lumi fillon të rrisë nivelin e ujit na ngrin gjaku. I kemi shtëpitë fare pranë lumit. Aty i kemi ndërtuar vite më parë, ndërkohë që lumi ka ardhur duke zgjeruar shtratin e tij. Nuk është halli vetëm i yni se ja siç na lajmëruan neve këto dy ditë ashtu do të përpiqeshim të shpëtonim, por përmbytja e shtëpive na lë në qiell të hapur. E kam më mirë të vdes se sa të shoh fëmijët pa një strehë. Jemi më të pasigurt se kurrë", ka vijuar Lufti Naze nga fshati Frakull. Ndërkohë edhe dje njësitë e shpëtimit dhe të emergjencave janë në gatishmëri të plotë, ndërsa prefekti i qarkut të Fierit, Shahin Bejdaj, ndodhet në terren dhe ndjek nga afër gjendjen. Në terren janë edhe përfaqësues të Këshillit të Qarkut kryetarët e komunave Levan e Frakull efektivat e repartit të ndërhyrjes së shpejtë të policisë së repartit zjarrfikës përfaqësues të bordit të kullimit, drejtori i ujësjellësit dhe shumë përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor. Ndërkohë dy ditë më parë prefektura e qarkut Fier dha alarmin për banorët e më shumë se 12 fshatrave të qarkut.

Evakuimi

Vetë prefekti i qarkut Shahin Bejdaj u ka bërë thirrje banorëve të fshatrave që ndodhen pranë lumenjve Vjosë, Seman e Gjanicë të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi parashikoheshin përmbytje të mëdha. Njoftimi erdhi nga kreu i prefekturës, grupet e emergjencës së të cilës janë vendosur pothuajse në të gjitha pikat e rrezikuara nga përmbytja. Specialistë të shtabit janë shprehur se gjithë kjo situatë ka ardhur pas reshjeve të vazhdueshme. "Si pasojë e reshjeve të rëna në qarkun e Vlorës dhe të Gjirokastrës, parashikohen përmbytje të përmasave të mëdha. Shirat që vazhdojnë prej dy ditësh në zonën e jugut dhe në burimet e Vjosës kanë bërë që ai të vërshojë me vrull nga shtrati i tij në territorin e qarkut të Fierit, duke e rrezikuar seriozisht këtë të fundit nga përmbytjet. Evakuimi i banorëve do të ishte masa më e sigurt për të mos u rrezikuar jeta e banorëve". Kështu është shprehur ndër të tjera inspektori i sektorit të Emergjencave Civile pranë prefekturës së qarkut Fierit Viron Balla. E ndërsa alarmi është dhënë, banorët, të cilët prej pak kohësh janë kthyer në shtëpitë e tyre, ngrenë shqetësimin se ku do të shkojnë.

RESHJET

Shirat vijuan dhe ujërat përmbytën disa sipërfaqe toke. Për shkak të reshjeve të mëdha të shiut lumi Vjosë doli nga shtrati dhe për pasojë disa shtëpi rrezikuan të përmbyteshin.

PËRMBYTJET

Më problematike ka qenë situata në fshatrat Cerven, Frakull, Pihsporo dhe shumë fshatra të komunës Levan. Në këto zona janë përmbytur më shumë se 300 ha tokë bujqësore.

BANORET

“Përmbytja e shtëpive na lë në qiell të hapur. E kemi më mirë të vdesim se sa të shohim fëmijët pa një strehë. Jemi më të pasigurt se kurrë, nuk kemi ku të shkojmë”

ALARMI

Dy ditë më parë prefektura e qarkut Fier dha alarmin për banorët e më shumë se 12 fshatrave që ndodhen pranë lumenjve Vjosë, Seman e Gjanicë të largohen nga shtëpitë

Durrës, banorët me kova në duar për të hequr ujin nga shtëpitë e bizneset

Rinisin reshjet e përmbytjet, vendorët asnjë ndihmë të dëmtuarve

DURRES- Reshjet kërcënojnë sërish banesat dhe bizneset në Durrës, ndërkohë indiferenca e vendorëve është në maksimum. Deri më dje, ndërsa shirat kishin pushtuar shumë banesa dhe dëmtuar disa biznese të tjera asnjë masë nuk është marrë për t’u ardhur në ndihmë familjeve apo bizneseve të rrezikuara nga shirat e shumtë që kanë rënë në Durrës në 48 orët e fundit. Gjendja në qytet dhe në periferi është rikthyer si dy javë më parë, por asnjë masë paraprake nuk është marrë nga asnjë institucion. Përmbytje të shtëpive ka pasur në Plazh për shkak të bllokimit të qëllimtë të kolektorit, në NISH Tulla, Kënetë, stacioni i trenit, lagjen numër 18, lagjen numër 15 etj. Edhe pse tashmë dihen banesat e rriskuara nga përmbytjet familjarëve nuk u ka shkuar në ndihmë askush, madje as mjetet zjarrfikëse për të larguar ujin nga banesat. Dy javë më parë prefekti i Durrësit pati deklaruar se do të vendosë nën përgjegjësi autoritetet, të cilët nuk do të kryejnë detyrimet, por së paku deri një ditë më parë asgjë nuk ka dëshmuar për një nismë të tillë. Aktualisht në Shtabin e Emergjencës në prefekturë dhe në Bashkinë e Durrësit nuk afrohet asnjë statistikë për situatën dhe dëmet në banesa apo biznese. E vështirë është gjendja edhe në disa komuna e bashki të tjera të qarkut, por njësitë vendore kanë mbajtur qëndrim të ftohtë duke mos shfaqur asnjë reagim pozitiv. Banorët janë detyruar të largojnë vet ujin si dhe të detyrojnë një pjesë të anëtarëve të familjes t’i shpërngulin ngase në dhjetëra shtëpi është e pamundur të jetohet deri në largimin e plotë të ujit. Kryefamiljarët kanë larguar nga banesat të vegjlit e tyre, pasi bashkëjetesa me lagështinë është në dëm të shëndetit të tyre. Ata kanë marrë kova e govata për të hequr ujin dhe ndërkohë u mbetet vetëm të shpresojnë së natyra do u falë ndonjë ditë më diell që t’u thahen sendet e muret e shtëpive.

Reshjet, “shpëtojnë” rrugët

Vërshon lumi Drino, përmbyten toka

GJIROKASTER - Reshjet e shumta të shiut që kanë mbizotëruar gjatë 48 orëve të fundit kanë nxjerrë nga shtrati lumin Drino, duke përmbytur disa hektarë tokë bujqësore në rrethin e Gjirokastrës, por në asnjë moment nuk ka shkaktuar vërshime në rrugën kombëtare Gjirokastër-Tepelenë apo dëmtime në objektet private, ashtu siç ka ndodhur disa vite më parë. Burime zyrtare nga prefektura e qarkut Gjirokastër, pohuan për gazetën "Metropol" se, shirat e rëna gjatë dy ditëve të fundit kanë përmbytur disa hektarë tokë bujqësore në fushën e Lunxhërisë dhe Dropull, por situata paraqitet normale, për shkak se gjatë dy viteve të fundit Qeveria ka ndërhyrë për të rehabilituar rrjetit kullues, duke thelluar shtratin e lumit Drino. Institucionet më të rëndësishme të rajonit jugor janë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë që mund të paraqitet në ditët në vazhdim. Ndërkaq, burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut Gjirokastër, thanë për se rrugët kombëtare të rajonit jugorë janë të sigurta për qarkullimin e automjeteve, por u bënë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë me seriozitet rregullat e qarkullim rrugorë, për të shmangur aksidentet e mundshme.

Edi Molla

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›